Kishte në dorë fatin e dhjetra gjyqtarëve, GJKKO kërkon hetim për anëtarin e KLGJ-së Alban Toro

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO ka urdhëruar nisjen e procedimit penal ndaj anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Alban Toro.

Sipas News24, procedimi penal ndaj Alban Toros është kërkuar për akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Dyshohet se Alban Toro, anëtar i KLGJ, falsifikoi dokumentet kur u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Toro u padit në SPAK nga Shoqata e Avokatëve, por Prokuroria e Posaçme vendosi mosfillimin e procedimit penal. Ndërkohë vendimi i SPAK u rrëzua nga Gjykata e Posaçme dhe gjyqtarja Ilirjana Olldashi caktoi nisjen e procedimit penal.

Alban Toro është një nga 11 anëtarët e KLGJ-së, i cili vjen nga radhët e avokatisë.

Si i tille ai duhet të mbante mbi supe një eksperiencë të paktën 10-vjeçare pa ndërprerje si avokat. Kriter, të cilin Alban Toro nuk e permbush.

Bazuar ne nenin 19, gërma ” d”, të ligjit nr 115/2016, anëtarët e KLGJ-së që vijnë nga avokatia duhet të kenë 15 vjet përvojë pune në profesion si jurist, nga të cilat të paktën 10 vitet e fundit të kenë ushtruar profesionin e avokatit pa ndërprerje.

Ligji nuk specifikon kriteret e vlerësimit të juristëve të spikatur, por ajo që mund të vërtetohet me lehtësi është fakti se gjatë periudhës 2010-2018, Alban Toro e ka pezulluar 3 herë aktivitetin e tij si avokat. Këto janë të dhëna të regjistruara në qendrën kombëtare të biznesit. Konkretisht rezulton se Toro është regjistruar në QKB për të ushtruar profesionin si avokat në dt 16 Nëntor 2007.
Duke ju referuar të dhënave të qendrës kombëtare të biznesit rezulton se Alban Toro nga data 02 Mars 2010 deri në datën 20 shtator 2011 e ka pezulluar ushtrimin e aktivitetit si avokat për afro 1 vit e gjysmë. Më pas, ai e ka ushtruar profesionin nga data 20 shtator 2011 deri në datën 27 shkurt 2018.

Por aktiviteti ka rinisur brenda 2 muajsh, për t’u pezulluar sërish në 21 dhjetor 2018, kohë kur mori detyrën si anëtar i KLGJ me mandat 5-vjeçar, i vlefshëm deri në dhjetor 2023. Në biografinë e publikuar në faqen zyrtare të KLGJ, nuk jepen detaje të ushtrimit të aktivitetit si avokat. Në faqe jepen të dhëna të vakëta, duke përmendur vetëm faktin se Alban Toro ka punuar rreth 20 vjet avokat, si dhe jurist në Drejtorinë e Sigurimit të Depozitave.

Nisur nga këto fakte zyrtare që gjenden në QKB, Alban Toro duhet të ishte skualifikuar nga gara për anëtar i KLGJ´-së, pasi të dhënat vërtetojnë faktin se eksperienca e tij si avokat është ndërprerë disa herë në 10-vjeçarin e fundit.

Shtuar 26.05.2021 01:05