Kishin shkuar për stërvitje, gjenden të plagosur me armë zjarri tre komandot të forcave holandeze

Tre komando holandeze, të cilët ndodheshin në SHBA për stërvitje, janë qëlluar dhe plagosur jashtë një hoteli në qytetin e Indianapolis, teksa ishin jashtë detyrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të së shtunës me orën lokale në një nga lagjet argëtuese të qytetit.

Policia e Indianapolis thotë se oficerët u gjetën të plagosur me armë zjarri nga qytetarët dhe më pas ata u dërguan për spital për të marrë ndihmën e nevojshme.

Ministria holandeze e mbrojtjes tha se njëri nga burrat ishte në gjendje kritike, ndërsa dy të tjerët ishin të vetëdijshëm. Të tre ushtarakët, ishin anëtarë të Korpusit Komando, një nga njësitë e operacioneve speciale në forcat e armatosura të Holandës.

Policia lokale tha se besonte se kishte pasur një grindje të mëparshme mes tre ushtarakëve dhe një personi ose grupi tjetër. Ministria holandeze e mbrojtjes tha se familjet e të plagosurve ishin informuar dhe se një hetim nga policia lokale ishte duke u zhvilluar.


Shtuar 28.08.2022 09:12