Dy persona kanë rënë në pranga në Laç, pasi kishin përshtatur lokalin për shitjen në doza të lëndës narkotike cannabis sativa, si dhe për lojëra me kompjutera nga të mitur dhe të rinj.
Të arrestuarit janë pronari dhe një kamarier në lokal, teksa është sekuestruar një sasi lënde narkotike cannabis sativa e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje.
Njoftimi i policisë:
Kurbin/Finalizohet pas një hetimi 6-mujor, me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Ndërthurja”.
Kishin përshtatur një lokal në Laç, për shitjen në doza të lëndës narkotike cannabis sativa, si dhe për lojëra me kompjutera nga të mitur dhe të rinj, vihen në pranga 2 shtetas (pronari i lokalit dhe një kamerier në këtë lokal).
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis sativa e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje.
Në bazë të informacioneve të siguruara për përshtatjen e një lokali në Laç, për shitje të lëndës narkotike cannabis sativa në doza, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë iniciuan një procedim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për arrestimin e shtetasve përgjegjës.
Si rezultat i hetimeve intensive, të kryera me metoda proaktive, për një periudhë 6-mujore, nga struktura hetimore e hetimit të narkotikëve në mbështetje edhe nga Forca e Posaçme “Shqiponja” pranë DVP Lezhë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Ndërthurja”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Gj., 25 vjeç dhe G. S., 22 vjeç, të dy banues në Laç.
Gjatë kontrolleve në lokalin në pronësi të 25-vjeçarit dhe ku punonte kamerier shtetasi G. S., në lagjen nr. 3, Laç, lokal i përshtatur nga këta shtetas me kompjutera me lojëra për të mitur dhe të rinj, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.