Kina i ofroi vaksina Shqipërisë, Manastirliu në: Jemi duke shqyrtuar të gjitha rrugët (VIDEO)

Ambasada e Kinës në Tiranë i tha mbrëmë Abcnews.al se është gati që t’i ofrojë vaksinën “Sinopharm” Shqipërisë nëse e kërkon, por a kanë nisur negociatat mes dy vendeve pas autorizimit pak ditë më parë të qeverisë shqiptare që i hapi rrugën vaksinës kineze dhe ruse?

E ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Log.” në ABC të drejtuar nga Endri Xhafo ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu u shpreh se të gjitha rrugët po shqyrtohen duke mos pranuar që të japë më shumë informacion, shkruan abcnews.

“Të gjitha rrugët po shqyrtohen, janë duke u shqyrtuar, dhe jemi në vijim, nuk kemi ndërprerë asnjë, nuk kemi marrë asnjë…” tha ajo.

“Ne ashtu sikurse e kemi thënë jemi shumë të kujdesshëm për të siguruar vaksinën e sigurt dhe efektive. Por do të vijojmë të provojmë të gjitha opsionet që janë të garantuara” vijoi më tej ministrja.

Por si po vendosen kontaktet? “Vendosen, ka disa mënyra, ne kemi operuar përmes shteteve, qeverive, përmes ministrisë së Punëve të Jashtme”.

Por a ka pasur kontakt direkt? “Ne kemi pasur shumë kontakte dhe përpjekja është e përditshme e vazhdueshme për vaksinat”.

Në fund, Ogerta Manastriliu siguroi se “Do të ecim me proceduat administrative duke ndjekur të gjitha aspektet të nevojshme, ligjore, rregullatore që kemi sot në Shqipëri”.


Shtuar 18.03.2021 23:43