Kina i kundërpërgjigjet akuzave të SHBA-vë për spiunazh: Keni shkelur mbi 10 herë hapësirën ajrore

Ministria e Jashtme në Kinë deklaroi sot se balonat amerikane kanë shkelur hapësirën ajrore kineze të paktën 10 herë gjatë vitit të  kaluar.

Akuzat e Kinës vijnë pasi SHBA-të rrëzuan një balonë të dyshimtë spiune kineze  më 4 shkurt.

Autoritetet kineze kanë thënë vazhdimisht se balona nuk është pajisje për spiunim, por pajisje e humbur për motin.

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar që atëherë. Ditët e fundit, SHBA ka rrëzuar gjithashtu një sërë objektesh të tjera të paidentifikuara, shkruan BBC.

Ndërkohë sot Pekini tha se SHBA ka  bërë shumë shkelje të hapësirës ajrore.

“Nuk është gjithashtu e pazakontë që SHBA të hyjë ilegalisht në hapësirën ajrore të vendeve të tjera,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Wang Wenbin në një konferencë të rregullt për shtyp.

“Vetëm që nga viti i kaluar, balonat amerikane kanë fluturuar ilegalisht mbi Kinë më shumë se 10 herë pa asnjë miratim nga autoritetet kineze.”

“Gjëja e parë që duhet të bëjë pala amerikane është të fillojë me një plan të pastër, t’i nënshtrohet një vetë-reflektimi, në vend që të njollosë dhe akuzojë Kinën,” shtoi ai./ALBEU.COM/


Shtuar 13.02.2023 19:44