Kina dhe Brazili forcojnë marrëdhëniet diplomatike, bien dakord të nxisin bisedimet e paqes për Ukrainën

Brazili ka rivendosur lidhjet e tij diplomatike me Kinën, partnerin e tij më të madh tregtar, gjatë një vizite shtetërore të premten, ku liderët e tyre ranë dakord të rrisin investimet dhe bashkëpunimin në teknologji dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ndërkohë që nxisin bisedimet e paqes në Ukrainë.

Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, dhe disa nga ministrat e tij nënshkruan marrëveshjen me Xi Jinping, presidentin kinez dhe zyrtarë të tjerë në Pekin, raporton Reuters.

Xi tha se Kina i kishte bërë marrëdhëniet me Brazilin një prioritet diplomatik dhe se të dy vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin praktik në sektorë duke përfshirë bujqësinë, energjinë dhe ndërtimin e infrastrukturës, raportoi transmetuesi shtetëror CCTV.

“Ne kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme me Kinën, një marrëdhënie që çdo ditë bëhet më e mprehtë dhe më e fortë,” tha Lula para takimit të tij me Xi.

Ai tha se Brazili dhe Kina duhej të punonin së bashku në mënyrë që marrëdhënia e tyre të mos ishte thjesht një interes tregtar.

Të dy liderët ranë dakord se dialogu dhe negociatat ishin “mënyra e vetme e mundshme” për të zgjidhur luftën në Ukrainë, sipas një deklarate të përbashkët. Ata u bënë thirrje vendeve të tjera që të luajnë një rol konstruktiv në promovimin e një zgjidhjeje politike midis Ukrainës dhe Rusisë./Albeu.com/


Shtuar 14.04.2023 19:35