Kim Jong Un fut ushtrinë nëpër farmaci

Teksa Covid-19 u përhap në të gjithë vendin dhe agjencia zyrtare KCNA raportoi gati 1.5 milion raste, ushtria e Koresë së Veriut ka filluar shpërndarjen e barnave  në farmacitë e Phenianit.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka vendosur një bllokim kombëtar për të frenuar përhapjen e Covid-19  dhe ka vendosur trupa për të ndihmuar në luftimin e epidemisë.

Qindra anëtarë të Ushtrisë Popullore Koreane, të veshur me uniforma kamuflazhi, u mblodhën në Phenian, sipas imazheve të transmetuara nga KCNA.

Ushtria “zgjeroi fuqinë e saj në të gjitha farmacitë në Phenian dhe filloi shpërndarjen e ilaçeve si pjesë e një shërbimi 24-orësh”, tha burimi.

Kim Jong Un të hënën kritikoi ashpër autoritetet e Koresë së Veriut për mënyrën se si e menaxhojnë epideminë, kryesisht për pamundësinë e tyre për të mbajtur farmacitë hapur 24 orë në ditë.

Që nga e enjtja e kaluar, kur vendi njoftoi rastin e parë të Covid-19, lideri i Koresë së Veriut ka marrë personalisht menaxhimin e luftës kundër epidemisë, e cila, sipas tij, ka shkaktuar “trazira të mëdha” në Korenë e Veriut./albeu.com/