“Këtu nuk ka b… kush të hyjë”. Policët e shtetit zaptojnë pronën në Himarë

Perikli Zoto nga Himara ankohet në emisionin Fiks Fare se i kanë zaptuar pronën.

Dy policë të kufirit të cilët duhet të ishin njerëzit që jo vetëm duhet të respektojnë ligjin e zbatojnë atë, por duhet t’i dalin në mbrojtje të qytetarit janë pikërisht zaptuesit e pronës të tjetrit.

Qytetari tregon për Fiksin se policët ja kanë rrethuar pronën e tij me gardh duke mos e lejuar të hyjë .Pronën këta të ashtuquajtur policë të shtetit e kanë shfrytëzuar prej dy vitesh për kapingje duke përfituar para. Qytetari u thotë gazetarëve se është ankuar në bashki për këtë problem dhe këtë vit bashkia nuk i ka lejuar policët të ngrenë kampingje në këtë pronë. Sipas qytetarit bashkia thotë që të prishen të gjitha gardhet e vendosura në këtë pronë, por është INUV që nuk vepron.

Bashkëpunëtori i Fiksit shkon me kamerë të fshehtë në pronën e zotit Perikli Zoto të zaptuar nga policët. Djali i njërit polic i thotë se në këtë pronë nuk ka b… njeri të hyjë se është para shtëpisë së tij. I ka ofruar 2 mijë euro qira plakut që është pronar, por ai nuk ka pranuar. Por në këtë pronë nuk do lërë njeri të hyjë, kushdo qoftë ai. Gazetarët shkojnë vetë në pronën e denoncuesit. Zaptuesit e kësaj prone djali i njërit prej policëve thotë para kamerave se kjo pronë nuk është e tyre, por e Perikli Zotos dhe ata e kanë shfrytëzuar për dy vite rresht për kampingje.

Këtë vit i ka ndaluar bashkia. Ndërkohë gruaja e policit tjetër thotë se gardhin e ka bërë ushtria dhe jo ata. Pyetjes së gazetarëve se nga duhet të futet z. Perikli në pronën e tij ata nuk i përgjigjen. Qytetari shkon dhe në bashki për këtë problem. Në arkiv i thonë se ke të drejtë dhe e njohin problemin prej 3 vitesh. Punonjësja dorëzohet duke i thënë se nuk ka çfarë të bëj.Ndërkohë që edhe kadastra kthehu përgjigje për emisionin Fiks Fare. Në përgjigje ky institucion argumenton se kjo pronë i përket Perikli Zotos. Por në realitet kjo pronë gëzohet nga dy policë zaptues të cilët nuk njohin shtet, ka ligj po ka dhe Maliq!


Shtuar 15.07.2021 20:37