Kërkon lirim me kusht, shtyhet seanca ndaj Zani Çaushit

Është shtyrë për më 14 prill seanca ndaj Zani Çaushit i cili më herët ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë.

Ditën e sotme, burgu paraqiti raportin e rrezikshmërisë së Zani Caushit, teksa  palët kërkuan kohë për njohjen. Çaushi ka kërkuar që të përllogariten vitet e qëndrimit në qeli, me pretendimin se ka kryer 31 vite burg

Sipas avokatit të tij nëse koha e qëndrimit në burg përllogaritet e plotë, vlonjatit i lind e drejta të kërkojë liri me kusht.

Kush është Zani Caushi?
Zani Caushi do të mbahet mend edhe si kreu i bandës kriminale me të cilin ish kryeministri Italian asokohe Romano Prodi pati një takim për rivendosjen e rregullit në Shqipëri dhe krijimin e qeverisë së pajtimit. Myrteza Caushi ishte kreu i një prej bandave në qytetin e Vlorës, gjatë trazirave të vitit 1997.

Gjatë vitit 1997 Caushi ishte i dënuar në një burg të sigurisë së lartë në Greqi, nga ku u arratis. Caushi arriti të arratisej gjatë një revolte. Ai ishte i dënuar nga drejtësia e Greqisë me 101 vjet burg për vrasje. Gjatë periudhës së viteve 1997-1998 u deklarua kundërshtar i Sali Berishës dhe u bë krah i djathtë i Komitetit të Shpëtimit të Vlorës.

Ai dhe banda e tij akuzohen për krime të rënda në Vlorë. Në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997, u formuan 5 banda. Tre prej tyre ishin rivale me atë të Zanit, Banda e Gaxhait, Banda e Kakamit  dhe Banda e Pusit të Mezinit. Gjatë përplasjes me bandat e armatosura Zani Caushi ka humbur tre vëllezërit. Kulmin e influencës së tij në popull, Zani e tregoi vetëm 15 ditë pas tragjedisë së “Otrantos”, kur kryeministri Italian, Romano Prodi zbarkoi në Vlorë.

Mëngjesin e 13 prillit 1997, tre helikopterë ushtarakë të marinës italiane zbritën në një zonë të pabanuar në Vlorë për të takuar kreun e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino. Nën mbrojtjen absolute të Zanit që mbante një kallashnikov në dorë, Prodi ndaloi disa minuta në Vlorë duke dhënë mesazhe paqeje dhe duke premtuar ndihma nga qeveria italiane për t’u nisur sërish me helikopter për në Tiranë.


Shtuar 30.03.2021 14:36