Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në Kuvend, akuzoi mazhorancën se po shkel Kushtetutën për të mbrojtur ministrat dhe zyrtarët e saj. Bardhi theksoi se vendimi i Kushtetueses i ka dhënë përgjigje edhe çështjes së imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke sqaruar se Kuvendi duhet vetëm të verifikojë nëse ka motivim politik në kërkesat e drejtësisë.
“Sa kohë në sallë nuk është as propozuesi i këtij projektligji dhe as ministri i Arsimit, unë do e shfrytëzojë këtë kohë për t’ju ribërë edhe njëherë thirrje për të kërkuar ndjesë zoti kryetar i Kuvendit, për shkeljen e Kushtetutës. Sot po ju sjell një rast të dytë, duke nënvijëzuar edhe distancimin e plotë të opozitës në Parlament, nga qëndrimi që Kuvendi mbajti në mënyrë antikushtetuese në padinë që kryeministri depozitoi si zyrë avokatie e Ballukut në Kushtetuese.
Qëndrimi i Kuvendit, i padiskutuar në asnjë organ të Kuvendit, unë nuk e di kush e ma miratuar këtë qëndrim të Kuvendit, ka mbajtur një qëndrim që është rrëzuar njëzëri 8 me 0 nga Gjykata Kushtetuese. Dhe qëndrimi juaj zoti kryetar se pezullimi i ministrave është pjesë e imunitetit kushtetues të ministrit, nëse nuk e keni marrë vesh është rrëzuar si qëndrim antikushtetues. Kjo është shkelja e dytë që ne ju evidentojmë sot. Ju zoti Peleshi duhet të gjeni kurajon të kërkoni ndjesë.
Nxirreni Ulsiun nga biblioteka, sepse i ka dhënë përgjigje çështjes së dytë që ka të bëjë me heqjen e imunitetit të Ballukut. I ka dhënë përgjigje në mënyrë shteruese. Ka përcaktuar që imuniteti nuk është privilegj ndaj deputetit të veçantë, prandaj nuk është privilegj i Ballukut. Ulsiu ka lexuar kot, po lodhet por nuk ka gjetur një argument për atë qëndrim pa qëndrim”, tha Bardhi.
