Kërcënoi me jetë socialistët! Mziu kërkon ndjesë publike: Thellësisht i penduar! (VIDEO)

Kandidati për deputet Xhelal Mziu ka kërkuar ndjesë publike vetëm pak orë pasi bëri deklaratën e fortë në Dibër, në mbyllje të fushatës së tij zgjedhore.

“Kemi ngritur grupet e gatshme nga sot dhe në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit…”- tha ndër të tjera Mziu ditën e djeshme duke kërcënuar me jetë.

Sot, me anë të një deklarate publike, Mziu thotë se kërkon ndjesë me “sinqeritetin më të madh, duke shprehur keqardhjen dhe pendesën për komentin në emocione të forta të momentit…”

DEKLARATË E KANDIDATIT TË PD PËR DIBRËN, XHELAL MZIU

Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshem dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit.

Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës!

Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve. /albeu.com/

 

Shtuar 23.04.2021 10:04