Kërcënoi me armë një shtetas për t’ i dhënë 3 mijë euro, arrestohet 26 vjeçari në Elbasan

DVP Elbasan/Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Shuma”.

Dhunoi fizikisht dhe kanosi me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e 3000 eurove, vihet në pranga 26-vjeçari.

Sekuestrohet automjeti që përdorte ky shtetas dhe 2 aparate celulare.

Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Elbasan, të mbështetura nga inteligjenca informative dhe si rezultat i provave të siguruara nga një hetim i ndjekur intensivisht dhe me metoda speciale proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”.

Si rezultat i këtij operacioni, u kap dhe u ndalua shtetasi N. S., 26 vjeç, banues në Prrenjas, ndaj të cilit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 22.12.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.

Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit me metoda proaktive, ka rezultuar se shtetasi N. S. ka shtrënguar duke e dhunuar fizikisht, si dhe ka kanosur me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e një shume parash prej 3000 eurosh.

Në cilësinë e provës materiale, 26-vjeçarit iu sekuestruan automjeti që përdorte dhe 2 aparate celulare.

Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 23.12.2022 09:41