Këtë të hënë, Gjykata e Posaçme, ka pranuar kërkesën e avokatëve të Rexhep Rapit, i njohur si Kep Arapi, për të caktuar ekspert që të kryejnë ekspertizën mjekësore të tij.
Arapi pretendon se ka probleme shëndetësore që mund t’i rrezikojnë jetën në qeli.
Rexhep Rapi, nipi i tij Algert Rapi, Devi Gjermëni dhe ish-shefi i Krimeve Dedan Gjoni, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin siguruar kushtet dhe mjete materiale për të kryer eliminimin e Xhevdet Plakut njohur si “Akili”.
Rexhep Arapi, personazh i njohur me histori kriminale në Shijak, u arrestua me kërkesë të SPAK, në Durrës më 22 dhjetor të vitit të kaluar.
Gjatë kohës që Dedan Gjoni ka qenë me detyrë më Komisariatin e Shijakut, dyshohet se ka bashkëpunuar me Rexhep Rapin, njohur ndryshe si “Kepi Rrapi” për ekzekutimin e Xhevdet Plakut.
Nga hetimet ka rezultuar se urdhri i krimit është dhënë nga Holanda. Ish-efektivi Dedan Gjoni, ka thirrur në komisariat objektivin Xhevdet Plaku më 17 shtator 2019, ka raportuar te autorët orën që do e lironte si dhe u ka nisur foto të tij.
Fatmirësisht, atentatorët janë tërhequr nga plani dhe vrasja nuk u krye. Nuk dihet saktësisht pse Rexhep Rapi e donte të vdekur Xhevdet Plakun,. por ky i fundit ka qenë nën akuzë për vrasjen e Sali Rapit dhe plagosjen e Alfred Hasës, por mori pafajësi.
Sali Rapi, u vra me dy plumba pistolete, armë që nuk u gjet kurrë. Rexhep Rapi rezulton të jetë arrestuar me armë pa leje në një lokal në vitin 2021.