“Kemi informacion se 20 mijë persona janë të zhdukur”, togeri shqiptar: Po shuhen shpresat për jetë të gjalla

Teksa kanë kaluar më shumë se 72 orë nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë numri i personave të vdekur ka shkuar në 16035, sipas autoriteteve.

Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar se numri ka të ngjarë të rritet ndjeshëm, veçanërisht në Siri, pasi ekipet e kërkimit dhe shpëtimit kalojnë nëpër rrënojat e mijëra ndërtesave të shembura mes kushteve të motit të ngrirë dhe përballë rrezikut të pasgoditjeve.

Togeri shqiptar Grei Malo i cili ndodhet në Turqi u shpreh se nuk ka më shpresë që të nxjerrin njerëz të gjallë nga rrënojat.

Ai tha se po bëjnë maksimumin  që të nxjerrin trupat nga rrënojat, por punën e tyre po e vështirëson moti i ftohtë dhe lëkundjet e herë pas hershme të tërmetit.

“Po hapen tunele, është afruar ekipi përkatës  me pajisjen që dëgjon valë të ndryshme në mënyrë që të afrohemi sa më shumë tek njerëzit që mund të jenë gjallë. Nuk ka shpresë. Po bëjmë maksimumin që t’u japim ndihmë personave të prekur nga tërmeti. Jo më larg se mbrëmë ka pasur lëkundje, dhe rreth orës 4 të mëngjesit pati një goditje rreth 5,2 ballë. Lëkundjen po vështirësojnë punën e ekipeve të kërkim –shpëtimit. Temperaturat mbrëmë kanë qenë -12 gradë”, tha ai.

Më tej shtoi se kanë informacion e në të gjithë Turqinë 20 mijë persona rezultojnë të zhdukur.

“Në këtë pallat është nxjerrë vetëm një person i gjallë dhe katër trupa pa jetë. Te kjo godinë kanë qenë 25-30 persona. Me sa kemi informacion janë diku mbi 20 mijë persona të zhdukur”, theksoi ai./Albeu.com/


Shtuar 9.02.2023 09:32