Në një intervistë për News24, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, komentoi përjashtimin nga punimet e Kuvendit me 60 ditë të 6 deputetëve opozitarë, përfshirë emrin e tij.
Ai theksoi se nuk mund të ketë normalitet parlamentar për sa kohë studentët kanë dalë në protestë kundër qeverisë dhe po dhunohen nga policia. Ai ritheksoi qëndrimin e Grupit Parlamentar të PD-së në mbështetje të studentëve, të bërë në seancë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, qeveria teknike dhe vetëshpërndarjen e Parlamentit.
Të lidhura
None found
“Mori atë vendim që pritej që dje, të përjashtimit të 6 deputetëve, të heqjes së mandatit për 60 ditë. Që në fakt është tre muaj, duke përllogaritur se datën kur ka hyrë në fuqi, ankimimin që do të bëjmë në Byro dhe faktin që para janë edhe pushimet e dimrit dhe parlamenti nis punimet të hënën e tretë të Janarit. I bie që për 6 deputetë, unë dhe 5 kolegë të tjerë, të rikthehemi në parlament në javën e tretë të janarit se dje mbajtëm një qëndrim të prerë. Unë për shkak se kryetari i grupit është përjashtuar mbajta qëndrim në emër të PD. Kemi shpalosur edhe njëherë kërkesat e studentëve, kemi kërkuar largimin e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike bazuar në modelin e RMV, dhe vetëshpërndarjen e këtij parlamenti se është e kotë që ekziston. Në përfundim të fjalës time, kemi kërkuar që të ndryshohet rendi i ditës dhe të diskutohet për problemet e të rinjve, kemi marrë fotot ku dëshmohet dhuna shtazarake i të rinjve”, tha ai.
Ai theksoi se shumë të rinj janë dhunuar në mënyrë brutale, ndërsa shtoi se disa nga ata që janë qëlluar me plumba gome janë bërë operacion.
Gjithashtu, ai theksoi se PS tentoi që të shmangte debatin për shkak se nuk mund të bëhej interpelancë me ministrin e Brendshëm për çështje të tjera, ndërkohë që Tirana është përfshirë nga protestat dhe dhuna ndaj të rinjve.
“Nuk mund të ketë seancë parlamentare normale ndërkohë që studentët, të miturit, po rrihen brutalisht, po arrestohen në mënyrë të paligjshme. Po u thyhen këmbët dhe kockat, goditen me plumba gome në trup. Janë bërë operacione disa protestues për shkak të plumbave dhe ende sot nuk ka ende një reagim apo kërkesë falje nga ministri i brendshëm, policia dhe kryeministri. Madje kryeministri e ka inkurajuar këtë dhunë duke premtuar 2500 euro. Kur ne jemi përballë këtij fakti s’i mundet të shkojmë dhe të bëhet seancë dhe interpelancë normale për siguri që prekin çështje të tjera dhe jo këtë aktualitet. Kjo është për të shmangur debatin dhe treguar një normalitet në Kuvend. Ne dje i kemi etiketuar si dele sepse të tillë e kanë sjelljen. Nuk kanë asnjë mendim apo qëndrim politik dhe asnjë argument. Vetëm ngrenë kartonin”, u shpreh ai.






