KE i përgjigjet pretendimeve të Edi Ramës: Nuk kemi ndërhyrë në fushatë

Zyra e shtypit e Komisionit Evropian në Bruksel i është përgjigjur pretendimeve të kryeministrit Edi Rama i cili hodhi akuza për një rol të komisionarëve në zgjedhjet e 25 prillit.

Ka qenë zëdhënësja për shtyp e  KE-së, Ana Pizonero e cila ka deklaruar për Euronews se takimi i sotëm ishte në nivel rajonal dhe pa asnjë ndikim në zgjedhjet shqiptare.

“Komisioni nuk komenton mbi komentet e palëve të treta. Lutemi të keni parasysh që Komisionerja Mariya Gabriel mori pjesë në Tryezën e 18-të Rrumbullakët mbi Arsimimin, me ftesë të Universitetit Modul të Vjenës, i cili është organizatori i këtij eventi. Pjesëmarrja e komisioneres ishte e kufizuar vetëm në dhënien e një fjalimi kryesor”, tha zëdhënësja e KE.

“Fjalimi, i cili është i publikuar në faqen e internetit të Komisionit, është i fokusuar mbi iniciativat e fundit evropiane në fushën e arsimimit dhe të kërkimit, të cilat vlejnë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Komisionerja nuk bëri ndonjë deklaratë për ndonjë parti politike, por mbajti një fjalim mbi çështjet që kishin të bënin me fushën e saj”, thuhet në reagim.

Disa ditë më parë kryeministri Edi Rama i cilësoi si “ndërhyrje në fushatë” bisedat online të zhvilluara së fundmi nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha me komisionerë të Bashkimit Evropian. Cilësim të cilin, Basha e ka konsideruar si “nervozizëm”.

“[…] se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE!” – shkroi Rama në një postim në Twitter, ditë më parë, ndçrsa shtoi “Në dijeninë time Komisioni Evropian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Evropës zgjedhin qeveritë e tyre”.

Shtuar 23.03.2021 09:03

Tags: ,