Erisa Zykaj
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në një konferencë për shtyp me presidentin e Rumanisë është shprehur se kërkesa e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian po shqyrtohet.
Sipas Von der Leyen, do të jenë 27 liderët e Bashkimit Europian, që do të shprehen nëse ata do t’i kërkojnë Komisionit Europian të shprehë opinionin për aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Procedura e Bashkimit Europian për anëtarësimin e një vendi kalon nga disa faza, ku përfshihet së pari dhënia e një perspektive europiane për anëtarësim dhe akordimi i statusit të vendit kandidat.
Ky status kalon përmes kërkesës së Këshillit të Bashkimit Europian që i drejtohet Komisionit Europian të shqyrtojë aplikimin e vendit në fjalë dhe të shprehet përmes një opinioni (avis) nëse vendi që aplikon meriton statusin e kandatit apo jo. ABC ka drejtuar një pyetje kryezëdhënësit të Komisionit Europian, për mundesinë e përshpejtimit të procesit të akordimit të statusit të vendit kandidat.
Në pyetjen e ABC evidentohet se në traktatet e Bashkimit Europian nuk parashikohet një procedurë e përshpejtuar për anëtarësimin e një vendi në BE dhe një procedurë e përshpejtuar do të kërkonte ndryshimin e traktateve që merr vite, por a mund të parashikohet një proçedurë e përshpejtuar për dhënien e statusit kandidat për Ukrainën duke qenë se Bashkimi Europian ka thyer disa tabu në disa ditë (siç është shprehur dhe shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrel), dhe mundet ndoshta të thyejë edhe këtë ?
Eric Mamer, kryezëdhënës i KE-së:
“Mendoj, se qëndrimi i presidentes së Komisionit Europian është shumë i qartë. Ju flisni për një situatë që ndryshon, që evoluon. Dhe ju keni sigurisht tê drejtë. Eshtë një situatë e jashtëzakonshme, tërësisht e jashtëzakonshme duke marrë parasysh pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Presidentja e Komisionit Europian thotë që në këtë kontekst, hapi i parë që duhet hedhur është që janë liderët e Bashkimit Europian që duhet të diskutojnë mbi këtë çështje. Kur të zhvillohen diskutimet, ne mund të parashikojmë më pas se si do vijojmë, por për momentin duhet t’ë përmbahemi qëndrimit të presidentes ». është shprehur Mamer.
Liderët e Bashkimit Europian do të mblidhen në 10 dhe 11 mars në një samit europian nê Versaille, France. /abcnews.al