KE: Evropa po përballet me thatësirën më të rëndë në 500 vjet

Ky reagim vjen teksa të dhënat e fundit shkencore kanë treguar se pothuajse dy e treta e kontinentit ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme sa i përket thatësisë apo për shkak të valëve të të nxehtit dhe mungesës së reshjeve të shiut.

Raporti i publikuar në gusht nga Vëzhguesi Evropian i Thatësisë (EDO), trup që mbikëqyret nga Komisioni Evropian, tha se 47 për qind e Evropës po përballet me temperatura të nxehta, me deficit të theksuar të lagështisë, ndërkaq 17 për qind është në gjendje emergjente dhe në këto zona, për shkak të motit, është prekur vegjetacioni.

Thatësia “duket të jetë më e rënda në të paktën 500 vjetët e fundit”, tha zëdhënësi i EDO-s, Johannes Bahrke, duke iu referuar gjetjeve të raportit.

“Ky është vlerësimi i parë dhe ne duhet ta konfirmojmë këtë gjetje me të dhënat përfundimtare që do të nxirren në fund të sezonit”, shtoi ai.

Në raport thuhet se sezoni i mbjelljes gjatë verës është prekur nga moti ekstrem, teksa rendimentet e misrit, sojës dhe lulediellit pritet të bien për 15 për qind.

Transportet ujore të mallrave, si për shembull përmes lumit Danub, janë penguar për shkak të nivelit të ulët të ujit.

Reshjet e shiut në mes të gushtit mund të kenë zbutur gjendjen me thatësinë, por në disa raste stuhitë e shiut kanë shkaktuar dëme të tjera, thuhet në raport.

Rajonet që janë goditur më së keqi nga thatësira në verë, ishin prekur nga thatësira edhe në pranverë. Këtu përfshihen Italia, juglindja e Francës dhe disa zona në Hungari dhe Rumani.

Hulumtuesit parashikojnë se temperatura të larta dhe të thata do të mbretërojnë deri në nëntor në rajonin e Mesdheut dhe Evropës Perëndimore./REL

Shtuar 23.08.2022 17:24