Katër pistoleta që dyshohej se po transportoheshin drejt Sarandës u sekuestruan gjatë një operacioni policor të zhvilluar dy javë më parë. Ndërhyrja u krye në tunelin e Skërficës, përgjatë aksit Kardhiq-Delvinë, dhe përfundoi me arrestimin e 31-vjeçarit Kejdi Banaj. Në dëshminë e dhënë, ai ka implikuar edhe 26-vjeçarin E. S. nga Tirana, i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej marsit të këtij viti për një akuzë të ngjashme.
Sipas dosjes hetimore, policia kishte siguruar informacion se në një automjet të marrë me qira nga Kejdi Banaj fshiheshin disa armë zjarri. Dyshohej se makina do të vendosej më pas mbi një karrotrec që ai kishte në përdorim dhe do të transportohej drejt Sarandës. Informacionet operative tregonin gjithashtu se në Lushnje ai mund të merrte rreth 500 gram kokainë, e cila do të çohej në Sarandë për t’u shitur në doza të vogla. Personi që posedonte lëndën narkotike dyshohej se ishte nga Lushnja dhe mbetej i paidentifikuar, ndërsa parashikohej ta ndiqte Banajn me një makinë tjetër deri në Sarandë.
Të lidhura
None found
Pas ndjekjes, policia e ndaloi automjetin në vendin e quajtur “Tuneli i Skërficës”, në orën 16:15. Mjeti drejtohej nga shtetasi Kejdi Bana. Gjatë kontrollit, në pjesën e pasme, poshtë tapicerisë së pasagjerit në krahun e djathtë, efektivët gjetën një thes të zi plastik. Brenda tij ndodheshin katër armë zjarri, të gjitha pistoleta të tipit “Glock”.
Banaj bashkëpunoi me policinë, duke dhënë kodin e telefonit celular dhe duke treguar personat e tjerë të përfshirë. Ai deklaroi se jeton në Tiranë dhe se në zonën e Astirit ka një zyrë imobiliare. Sipas rrëfimit të tij, më 14.07.2026, rreth orës 13:00, në biznesin e tij kishte shkuar një person i quajtur E., mbiemrin e të cilit nuk e mbante mend. Ai e identifikoi si djalin e “M…”, që qëndron në “Rrugën e Kavajës”.
Meqë Banaj nuk ndodhej në zyrë, E. kishte takuar babanë e tij dhe i kishte marrë numrin e telefonit. Më pas e kishte telefonuar dhe kishte shkuar poshtë banesës së tij së bashku me bashkëshorten dhe vajzën. Banaj tha se komunikimet mund të kontrolloheshin në telefonin e tij personal, i cili kishte kodin 2580. E. i kishte kërkuar t’i siguronte një apartament dhe një makinë me qira në Sarandë. Më pas ishin nisur me një automjet drejt qytetit bregdetar, së bashku me kunatin e E., emrin e të cilit Banaj tha se nuk e dinte.
Në datën 15.07.2026, afërsisht në orën 08:00, E. i kishte propozuar të shkonin në Tiranë për të marrë diçka, duke i ofruar 150 euro që të shërbente si shofer. Ai ia kishte lënë makinën një personi tjetër dhe kishte marrë automjetin “Citroen” me targa AB 302 SF, pa ditur se ku ishte siguruar. Pasi mbërritën në Tiranë, u ndalën pranë “Hotel I….”, në autostradë, në zonën e “Qafës së Kasharit”. E. dhe kunati i tij kishin zbritur, kishin marrë një qese të zezë te ferrat dhe, pasi u kthyen, e kishin vendosur në pjesën e pasme të makinës, te këmbët pas sediljes. Më pas i kishin kërkuar Banajt të vazhdonte drejt Sarandës.
E. kishte marrë një automjet “Skoda” me ngjyrë gri, të cilin ia kishin lënë në atë vend. Banaj deklaroi se e dinte që në makinë kishte sende të kundërligjshme dhe armë, por kishte menduar se ato ishin lodra.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, 31-vjeçari dha hollësi të tjera. Ai tha se prej vitesh ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe se nuk e kuptonte si kishte ndodhur ngjarja. Sipas tij, persona të tjerë e kishin marrë në shtëpi dhe e kishin çuar në atë vend, ndërsa ai nuk kishte qenë në dijeni. Banaj u shpreh se nuk kishte qenë i vetëdijshëm për rrethanat konkrete dhe se vijonte të mos ishte i kthjellët, por këmbënguli se kishte treguar të gjithë të vërtetën.
Ai deklaroi se e kishte marrë E. S., të cilin e njihte prej 20 vitesh. Sipas Banajt, E. i kishte propozuar të shkonin në Sarandë, të gjenin një shtëpi dhe të kalonin disa ditë pushime në plazh. E. shoqërohej nga bashkëshortja dhe fëmija, ndërsa të dy nuk ishin takuar prej kohësh. Gruan e E. e kishin lënë në Elbasan dhe më pas kishin vazhduar drejt Tiranës. Atje, E. kishte marrë një porosi dhe e kishte vendosur në makinën e Banajt, ndërsa vetë ishte larguar me një automjet tjetër.
Banaj tregoi se gjatë rrugës policia e kishte ndaluar atë, ndërsa E., i cili udhëtonte përpara me makinë, ishte larguar. Ai pretendoi se vetëm në momentin e kapjes kishte kuptuar se çfarë transportonte. Qesen e zezë të lënë në automjetin e tij, sipas deklaratës, e kishin marrë në Tiranë E. dhe kunati i këtij të fundit, ndërsa Banaj nuk e dinte çfarë kishte brenda. Ai shtoi se E. e kishte takuar papritur pas katër vitesh pa u parë; fillimisht e kishte kërkuar te babai, prej të cilit kishte marrë numrin e telefonit, dhe më pas ishte takuar me të.
Gjykata vendosi ndaj Kejdi Banajt masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ndërkohë, nuk dihet nëse personat e dyshuar si bashkëpunëtorë të tij janë shpallur në kërkim.
