Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur informacionin më të fundit lidhur me situatën e zjarreve në të gjithë vendin.
Deri në orën 20:00 të 26 gushtit, në rang kombëtar ishin evidentuar gjithsej 24 vatra zjarri. Prej tyre, 4 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 5 vatra të tjera po mbahen nën mbikëqyrje.
Të lidhura
None found
Në operacionet në terren janë përfshirë gjithashtu 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.
Në Qafën e Helmës, në Bulqizë, po vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e flakëve që kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në operacion marrin pjesë 23 forca operacionale të MZSH Bulqizë dhe të strukturave bashkiake. Zonat e banuara nuk janë të rrezikuara.
Në Malin e Dardhës, në Librazhd, zjarri mbetet aktiv në brendësi të vatrës, ku digjen kryesisht humus dhe trungje të dekompozuara. Nuk ka rrezik për banesat.
Në Malin e Qukësit, në Prrenjas, puna është përqendruar te shuarja e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët brenda zonës së prekur. Edhe në këtë rast nuk rrezikohen zonat e banuara.
Në Drashovicë të Selenicës vazhdon ndërhyrja në një sipërfaqe pyjore me shkurre. Në terren ndodhen 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë të MZSH Selenicë, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në vatrat e tjera është shënuar përmirësim i situatës. Në Malin e Dajtit, reshjet e shiut mundësuan izolimin e vatrave dhe zona do të vijojë të monitorohet. Gjatë ditës atje u angazhuan 38 forca operacionale bashkiake dhe 50 efektivë të FA-së.
Zjarri në kurorën e qytetit të Sarandës është vendosur nën kontroll pas mobilizimit të gjerë të MZSH-ve, Policisë, FNSH-së, forcave bashkiake dhe 1 helikopteri të FA-së. Zona vazhdon të mbahet nën mbikëqyrje.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) po monitoron pa ndërprerje gjendjen në të gjithë territorin e vendit, duke bashkërenduar veprimet me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe mjetet operacionale vijojnë të jenë të pranishme në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë kudo që paraqitet nevoja, duke pasur si përparësi mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
