Katër familjarë iu vranë në tetor, sot humbi djalin, gazetari i Al Jazeera shpërthen në lot: Ishte shpirt i shpirtit tim

Djali i madh i shefit të zyrës së Al Jazeera-s në Gaza është vrarë në një sulm izraelit në Gazën jugore.

Hamza al-Dahdouh, një gazetar dhe kameraman i rrjetit Al Jazeera, ishte me gazetarë të tjerë në një rrugë midis Khan Younis dhe Rafah kur u goditën nga një dron.

Hamza Al-Dahduh (djathtas) dhe babai i tij Wael Al-Dahduh

BBC shkruan se gjatë sulmit u vra edhe gazetari i pavarur Mustafa Thuraya.

Katër anëtarë të tjerë të familjes së shefit të byrosë Wael al-Dahdouh u vranë gjithashtu në tetor, shkruan albeu.com

Gruaja e tij Amna, nipi i tij Adam, djali i tij 15-vjeçar Mahmoud dhe vajza shtatë-vjeçare Sham vdiqën të gjithë në një sulm izraelit.

Sipas Hisham Zaqout, një korrespondent i Al Jazeera-s, Hamza dhe një grup gazetarësh ishin rrugës për në zonën Moraj në verilindje të Rafahut, e cila u caktua një “zonë humanitare” nga ushtria izraelite, por që thuhet se kishte përjetuar bombardime gjatë kohës së fundit.

Hamza do të raportonte mbi situatën e zhvilluar dhe pasojat e bombardimeve në zonë, sipas Al Jazeera.

Pamjet e drejtpërdrejta nga Al Jazeera treguan pasojat e goditjes në makinën me të cilën po udhëtonin.

Babai i tij Wael al-Dahdouh shpërtheu në lot duke mbajtur dorën e tij dhe duke qëndruar pranë trupit të pajetë në një morg në Khan Younis. Ai u varros në qytetin jugor të Rafah.

“Hamza nuk ishte vetëm një pjesë e imja. Ai ishte gjithçka e imja. Ai ishte shpirti i shpirtit tim. Këto janë lot trishtimi, humbjeje. Këto janë lot njerëzimi”, tha babai i tij në varrim.

“I bëj thirrje botës që të shikojë nga afër se çfarë po ndodh në Gaza”./albeu.com