Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka folur hapur për ndikimin e dëmshëm të teknologjisë në jetën familjare, duke paralajmëruar se telefonat inteligjentë po kontribuojnë në një “epidemi shkëputjeje” mes njerëzve sidomos mes prindërve dhe fëmijëve.
Në një ese të publikuar më 9 tetor në faqen zyrtare të Qendrës për Fëmijërinë e Hershme, të titulluar “Fuqia e Lidhjes Njerëzore në një Botë të Shpërqendruar” dhe shkruar në bashkëpunim me Profesor Robert Waldinger të Universitetit të Harvardit, Kate thekson:
“Ndërsa teknologjia e re ka shumë përfitime, duhet të pranojmë gjithashtu se ajo luan një rol kompleks dhe shpesh shqetësues në këtë epidemi shkëputjeje.”
Sipas saj, telefonat dhe pajisjet e tjera dixhitale na kanë kthyer në prindër fizikisht të pranishëm, por mendërisht të munguar:
“Telefonat, tabletët dhe kompjuterët janë burime të vazhdueshme shpërqendrimi, duke na copëtuar fokusin dhe duke na penguar t’u kushtojmë të tjerëve vëmendjen e pandarë që kërkojnë marrëdhëniet. Ne rrimë ulur së bashku në të njëjtën dhomë, ndërsa mendjet tona janë të shpërndara nëpër dhjetëra aplikacione, njoftime dhe burime. Jemi fizikisht të pranishëm, por mendërisht mungojmë, të paaftë të angazhohemi plotësisht me njerëzit që kemi përballë.””
Kate, nënë e Princit George (12), Princeshës Charlotte (10) dhe Princit Louis (7), thekson se kjo ndërhyrje teknologjike po na pengon të japim dhuratën më të madhe që mund t’u ofrojmë fëmijëve tanë, vëmendjen e plotë.
Ajo shton se vitet e para të jetës janë thelbësore për zhvillimin emocional dhe mendor:
“Nga shtatzënia deri në moshën 5 vjeç formohen rreth 1 milion lidhje të reja nervore çdo sekondë.”
Princesha nxit prindërit që të jenë më të vetëdijshëm dhe të pranishëm për mirëqenien afatgjatë të fëmijëve të tyre.