Nga Alice Hill “Foreign Affairs”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Planeti është trazuar jo pak këtë verë. Korriku u shpall muaji më i nxehtë që nga fillimi i regjistrimit të rregullt të temperaturave në shekullin XIX. Madje ekspertët mendojnë se ka qenë ndoshta muaji më i më i nxehtë i 120.000 viteve të fundit. Por duke pasur parasysh ritmin e shpejtë të ndryshimeve klimatike, korriku na tregoi vetëm një shembull të asaj që mund të na ofrojnë vitet e ardhshme.
Në vitin 2015, udhëheqësit botërorë caktuan një objektiv:mbajtjen e temperaturës mesatare globale deri 1.5 gradë Celsius më shumë sesa niveli i epokës para-industriale, në mënyrë që të shmangen efektet më katastrofike nga ndryshimet klimatike.
Por në korrik të këtij viti, temperaturat globale e tejkaluan atë tavan kritik, edhe pse për një kohë të shkurtër. Rreth 5.000 rekorde lokale të të nxehtit ekstrem dhe reshjeve po të pazakonte u thyen vetëm në Shtetet e Bashkuara. Në nivel global u thyen mbi 10.000 rekorde të tilla.
Dhe shkencëtarët parashikojnë se ky vit do të jetë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë. Ndonëse shkencëtarët e klimës kanë parashikuar prej kohësh një shtim të ngjarjeve të tilla ekstreme, përshpejtimi i papritur i temperaturave rekord mbart një paralajmërim të fortë për njerëzit: përshtatuni ose vdisni.
Shkalla e katastrofave klimatike të përjetuara gjatë këtij viti, rikonfirmon faktin se nuk mjafton më që qeveritë dhe politikë-bërësit të përqendrohen tek zbutja e fenomenit. Pra duke zhvilluar strategji për të reduktuar ndotësit e dëmshëm që çlirohen në atmosferë, përfshirë dioksidin e karbonit dhe metanin.
Po ashtu, bota duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje përshtatjes, përmirësimit të infrastrukturës dhe politikave për t’i bërë ballë motit ekstrem. Dhe në rast se qeveritë dhe shoqëritë nuk bëjnë përgatitjet e duhura, ndikimet e dëmshme të ndryshimeve klimatike do të shkatërrojnë jetët e njerëzve, mjetet e jetesës dhe komunitetet anembanë globit.
Konferenca e 28-të e vendeve që janë palë të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP28), e planifikuar për në fund të nëntorit deri në fillim të dhjetorit në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), përbën një moment vendimtar për kombet.
Samiti i këtij viti mund të përbëjë një pikë kthese për përpjekjet kundër ndryshimeve të klimës. Me shtimin e dukurive të motit ekstrem, qeveritë duhet të nxiten që të ndërmarrin veprime më radikale se në samitet e mëparshme. Temperaturat më të larta, nënkuptojnë përmbytje më të mëdha, valë më të shpeshta dhe më të gjata të të nxehtit ekstrem, zjarre më shkatërruese, thatësira më të gjata dhe stuhi më të forta.
Dhe egërsia e këtyre fenomene këtë verë ka qenë befasuese. Zjarret në pyjet e Kanadasë, shkrumbuan një territor në madhësinë e Greqisë, dhe detyruan miliona amerikanë dhe kanadezë të qëndronin në shtëpi për të shmangur problemet me frymëmarrjen.
Të nxitura nga erërat e forta, zjarret shkatërruan ishullin Maui në Hauai, duke vrarë të paktën 114 njerëz. Dhe në mesin e një vale të fortë të të nxehtit ekstrem në mbarë Evropën në fund të korrikut, italianët përjetuan reshje breshëri në madhësisë e një pjepri, me diametër gati 20 centimetra.
Këto ngjarje kanë një kosto të lartë njerëzore dhe ekonomike. Shtëpi të shkatërruara, shkollim i ndërprerë dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit. Asnjë vend nuk është i përgatitur në mënyrën e duhur për ndryshimet klimatike, dhe këtu hyjnë edhe ata që kanë bërë tashmë investime të konsiderueshme në këtë fushë.
Për shembull, Holanda është një vend lider në përshtatjen ndaj katastrofave. Më shumë se 1/4 e vendit ndodhet nën nivelin e detit, ndaj ajo ka investuar shumë në parandalimin e përmbytjeve me pasoja fatale. E megjithatë edhe holandezët u kapën të papërgatitur nga i nxehti rekord i kësaj vere.
39.000 njerëz vdiqën gjatë një valë 3-javore të të nxehtit ekstrem në qershor, ose 5 qind më shumë se sa pritej në atë periudhë. Në Shtetet e Bashkuara, numri i fatkeqësive natyrore që shkaktojnë më shumë se 1 miliard dollarë dëme, është rritur nga 6 në vitin 2002, në 18 të tilla në vitin 2022.
Dhe vetëm 7 muajt e parë të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar 15 fatkeqësi të tilla. Por pavarësisht nga shkatërrimet në rritje, qeveria amerikane ka dështuar të zhvillojë një strategji kombëtare përshtatëse. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përcaktuar tashmë një axhendë ambicioze kundër ndryshimeve klimatike.
Por edhe nëse rritet financimi për përshtatjen, vetëm botës në zhvillim i duhen rreth 160-340 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030, për të financuar projektet lokale të përshtatjes, përfshirë menaxhimin e ujit, mirëmbajtjen e rrugëve dhe programet e sigurisë ushqimore.
Por vetëm paratë nuk do t’i përgatisin komunitetet për ngjarjet atmosferike ekstreme. Vera e vitit të kaluar, tregoi se disa fusha kyçe kërkojnë një vëmendje urgjente. Së pari, qeveritë duhet të ndërtojnë sisteme të paralajmërimit të hershëm. Statistikat flasin vetë:njoftimi 24 orë para i një fatkeqësie të ardhshme, mund të reduktojë me 30 për qind dëmet e mundshme.
Paralajmërimi i hershëm dhe parashikimi i përmirësuar shpëtojnë shumë jetë, dhe shembull është Bangladeshi. Kur cikloni Bhola goditi Bangladeshin e sotëm në vitin 1970, humbën jetën deri 500 mijë njerëz. Por 5 dekadat e fundit, Bangladeshi ka krijuar një sistem paralajmërimi të hershëm që përbëhet nga parashikime meteorologjike të përmirësuara, një komunikim i përditësuar mbi stuhitë, dhe një sistem më i mirë vendstrehimesh.
Së dyti, vendet duhet të punojnë për të përmirësuar aftësitë e reagimit ndërkufitar. Fatkeqësitë e lidhura me klimën janë shpeshherë ndërkombëtare, duke e bërë thelbësore reagimin e koordinuar ndaj fatkeqësive. Qeveritë fqinje janë treguar tashmë të gatshme për të bashkëpunuar në raste kriz.
Kur përmbytjet goditën rëndë Slloveninë në fillim të gushtit, Franca dhe Gjermania dërguan materiale duke përfshirë ura të parafabrikuara për të ndihmuar autoritetet vendase. Po ashtu BE-ja dërgoi aeroplanë zjarrfikës në Qipro që ishte prekur nga zjarret. Edhe NATO ka dhënë një shembull të mirë në këtë aspekt. Por deri më tani, përpjekje të tilla ndërkufitare kanë qenë të pjesshme, ndaj nevojitet më shumë koordinim.
Së treti, politikë-bërësit duhet të angazhohen për mbylljen e hendekut në mbrojtjen nga sigurimet:ndryshimin midis asaj që duhet të sigurohet kundër fatkeqësive klimatike, dhe asaj që mbulohet në realitet. Nga 360 miliardë dollarë humbje globale të shkaktuara nga moti ekstrem
në vitin 2022, sigurimet mbuluan vetëm 39 për qind. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e humbjeve duhej të përballohej nga individët, qeveritë dhe organizatat bamirëse në vend të kompanive të sigurimit.
Së katërti, qeveritë duhet të ndryshojnë paradigmën mbi fatkeqësitë natyrore, duke i dhënë përparësi reduktimit të rrezikut mbi rikuperimin nga fatkeqësitë. Duke synuar që strukturat të jenë më të qëndrueshme, qeveritë vendore dhe kombëtare mund t’i ndihmojnë njerëzit t’i rikthehen më shpejt jetës së tyre normale.
Për shembull në Shtetet e Bashkuara, për çdo 1 dollar të shpenzuar për kode më të forta në ndërtim, kursehen 11 dollarë në kostot e rikuperimit nga fatkeqësitë. Anasjelltas, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), vendet e prirura nga zjarret shpenzojnë deri në 6 herë më shumë për luftën ndaj zjarreve, sesa për zvogëlimin e rrezikut të tyre përpara se të ndodhë.
Së pesti, vendet duhet të investojnë në bashkëpunimin midis tyre për rritjen e sigurisë globale ushqimore, e cila po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga moti ekstrem. Rreth 42 për qind e kalorive në botë vijnë nga orizi, gruri dhe misri.
Rendimentet e këtyre kulturave bujqësore, ka të ngjarë të bien ndërsa temperaturat rriten dhe ngjarjet ekstreme bëhen më të shpeshta, siç ishin përmbytjet në Pakistan në vitin 2022 që zhytën nën ujë 1/3 e vendit, duke shkatërruar të korrat e tij të orizit dhe pambukut.
Për të mbështetur mbrojtjen e saj kundër urisë së përhapur, bota mund të rrisë investimet në zhvillimin dhe shpërndarjen e farave rezistente ndaj klimës dhe kulturave që kanë më pak nevojë për ujë. Po ashtu shtetet gjithashtu duhet të punojnë për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit, për t’u siguruar që nëse vuan nga kriza një vend i madh bujqësor, të jenë të disponueshme burimet alternative të ushqimit.
Marrë me shkurtime
Shënim:Alice Hill, eksperte mbi energjinë dhe mjedisin në institutin kërimor “Council on Foreign Relations”.