Kasaphana që po fsheh Putin, asnjëherë kaq shumë rusë të vrarë në ditë që nga 1945-a

Nga Thomas Mackinson “Il Fatto Quotidiano

Ukrainasit flasin për 11 mijë të vrarë, ndërsa shifrat e raportuara nga Moska janë më pak se 500. Por edhe sipas këtyre të fundit “operacioni ushtarak special” i Putinit po rezulton të jetë ferr edhe për të. Vetëm në 6 ditët e para të “operacionit”, pra midis 24 shkurtit dhe 1 marsit, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi vdekjen e 498 burrave.

Një shifër në pamje të parë modeste. Por nëse e shohim më nga afër, nuk është aspak e tillë.

Në historinë e saj të dekadave të fundit, ushtria ruse nuk ka pasur kurrë një mesatare ditore të vdekjeve në terren siç ka sot në Ukrainë.

Për këtë është i bindur David Rossi, ekspert mbi analizat e strategjive ushtarake, kreu i seksionit gjeopolitik në portalin Difesaonline.it, që ka mbledhur dhe përpunuar që nga dita e parë e pushtimit të dhëna duke përdorur burimet në terren, vjetarë statistikor të luftës dhe kalkulatorë.

“Ushtarët e vrarë rusë janë sigurisht shumë më tepër se sa ata të deklaruar nga Moska. Pasi aty nuk përfshihen mercenarët e grupit paramilitar Ëagner, milicitë çeçene etj. Për mua janë 10 herë më shumë, pra 5000. Por edhe nëse do ta merrnin si të vërtetë shifrën zyrtare që jep Rusia, mesatarisht 83 vdekje në ditë është një tmerr i vërtetë, nëse bëhen krahasime me të kaluarën”- thekson Rossi.

Gjithnjë në baza ditore, llogarit ai, ka pasur përkatësisht 9 dhe 2 të vrarë në ditë gjatë luftës së parë dhe të dytë ruso-çeçene midis viteve 1994-2009, 4 viktima në ditë në radhët e forcave sovjetike në Afganistan midis viteve 1979-1989, dhe më pak se 2 midis rusëve dhe forcave lokale në Donbas midis viteve 2014-2022.

“Edhe po të zgjedhim të mos u besojmë vlerësimeve që jep Kievi, nëse intensiteti i luftimeve do të mbetej i njëjtë siç duket në ditët e para, viktimat ruse në Ukrainë do t’i tejkalonin ato të luftës së dytë çeçene deri në fund të këtij muaji, dhe ato të të gjithë luftës afgane deri para datës 15 gusht”- vlerëson eksperti italian.

Humbje për të cilat Kremlini hesht, për të fshehur rezultatin katastrofik me të cilin po përballet në moçalishten përreth Kievit, Mariupolit, Kersonit, dhe në të gjitha qytetet që ishin parashikuar të binin shpejt, por që në fakt po vazhdojnë të rezistojnë.

“Flasim pak për gjeneralët. Në Luftën e Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik, dhe jo Rusia e sotme, humbi gjithsej 412 gjeneralë, me një mesatare 1 në çdo 3 ditë. Ndërkohë deri tani është vrarë komandanti i përgjithshëm i Divizionit të Shtatë Andrei Sukhovetsky, zëvendëskomandanti i parë i Forcës së Përbashkët të 41-të Vitaly Gerasimov, teksa raportohet edhe për dy të tjerë. Pra 4 gjeneralë, do të thotë mesatarisht 1 në 1 ditë e gjysmë, pra dyfishi. Dhe kjo shifër do të thotë diçka”- deklaron Rossi.

Së fundmi, Moska e pranoi se në shumë raste i nisi rekrutët, siç e kanë denoncuar prej ditësh vetë nënat ruse, pa iu thënë se po dërgoheshin në frontin e luftës. Dhe po flasim për djem shumë të rinj në moshë. “Ky është një aspekt tjetër i tmerrshëm i kësaj lufte”- thotë Rossi. Rusia nuk mund të angazhonte për këtë luftë një personel të trajnuar në nivelin e duhur.

“Pas një viti shërbimi, këta të rinj janë pak më shumë sesa pushkatarë, por nuk mund t’iu japësh të përdorin mitralozët dhe armët e precizonit të lartë. Komandantët ukrainas, të cilët i presin në hyrje të qyteteve përsërisin vazhdimisht “Ata po na dërgojnë mish të freskët!”. Në fund të fundit, humbja e rusëve është e gjitha këtu”- nënvizon eksperti.

Është logjike të pyesësh se përse ka ndodhur kjo. Dhe me sa duket arsyeja, është po aq cinike sa edhe vetë lufta. Operacionet në Afganistan dhe Siri, shpjegon Rossi, u kryen nga batalione të vogla të përzgjedhura. Kjo gjë nuk ndodhi në këtë rast, pasi Ukraina është ndryshe, një vend me një territor shumë më të madh.

Rusia ka pasur historikisht një aftësi unike të mbrojtjes ushtarake. Por aftësia e saj në operacionet në vende të huaja, është e kufizuar nga reforma që ka ndodhur tek Forcat e Armatosura të Sergei Shoigu, gjë që i reduktoi enkas batalionet, për t’u dhënë atyre më shumë efikasitet.

Për operacione të tilla, duhen më shumë trupa. Ndaj janë rekrutuar djemtë e rinj. Por eksperti shpjegon se edhe kjo lëvizje nuk do të mjaftojë për Putinin. “Që të pushtosh një qytet që reziston në mënyrë të organizuar dhe që është i mirë-furnizuar me armë, duhet që forca pushtuese të jetë më e madhe në raportin 10 me 1.

Shembulli tipik është Sarajeva. Rrethimi atje zgjati 3 vjet, duke i marrë jetën më shumë se 10.000 njerëzve. Për të shtënë në dorë një qytet të madh dhe të armatosur si Kievi, duhet të kesh në dispozicion mbi 100.000 trupa. Dhe nëse ushtarët dhe civilët që e mbrojnë janë mbi 50 mijë, atëherë të duhen gjysmë milionë trupa. Por në të gjithë Ukrainën Putini ka vetëm 190 mijë”- thotë Rossi.

Dhe në fakt, trupat dhe milicitë ruse kanë mbetur të bllokuara për ditë të tëra në periferinë e kryeqytetit. “Sigurisht, Putini i ka bombarduar nga ajri, duke menduar t’i demoralizojë. Por sa më shumë ndërtesa që shemb, aq më e pamundur bëhet të depërtosh, dhe aq më mirë mund të mbrohen të rrethuarit nën rrënoja.

Për këtë ju kujtoj shembullin e Konotop, një qytezë në pjesën verilindore pranë kufirit rus. Trupat pushtuese nuk kanë mundur të hyjnë prej ditësh, pasi rrezikojnë të humbasin 5 mijë trupa në pak ditë. Por nëse rusët druhen të shkojnë atje, imagjinoni Kievin. Unë si analist nuk bëj profeci, por them se nëse ukrainasit do të rezistojnë edhe për 2-3 javë e ardhshme, Rusia është e mundur”- mendon eksperti italian.

Po përse po vriten kaq shumë ushtarë rusë? “Për mua Putini i ka bërë gabim llogaritë e tij. Plani Shoigu-Gerasimov ishte shumë i thjeshtë. Gjithçka rrotullohej rreth aeroportit Antonov. Forcat ruse u përqendruan mbi atë objektiv. Moska nisi dërgojë mjete dhe njerëz drejt Kievit, duke menduar se qeveria ukrainase do të arratisej, dhe qytetarët do t’i prisnin mirë. Në të gjitha zonat mund t’i dilnin përballë trupa ukrainase për një konflikt që mund të zgjaste 15 ditë, por që në fakt do të ishte zgjidhur brenda 4 ditësh”- shton eksperti.

Po çfarë ndodhi në vend të kësaj? “Rusët dërguan një kontingjent prej 34 helikopterësh, ku secili mbante të paktën 20 ushtarë nga më të mirët, të njësitë elitë Spernatz. Por Kievi mobilizoi në atë moment Batalionin 24-të të reagimit të shpejtë, që synoi të lëshonte raketa.

Ndaj në 2 ditë pati lëshime raketash dhe një beteje tokësore të ashpër, me më shumë se 1 mijë trupa ruse të bllokuara atje. Dhe të tjerët nuk kanë shkuar shumë larg, por po rebelohen nëpër qytetet ukrainase që po rezistojnë shumë fort”- shprehet Rossi.

Shtuar 11.03.2022 10:16