Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, i cili po mbush thuajse 100 ditë në Krye të Komunës, në emisionin ClickPlus hodhi dyshime për keqpërdorime të buxhetit komunal për interesa të anëtarëve e simpatizantëve të BDI-së.
“Ke situata për dy zotërinj, pronarë të një restoranti në Universitetin e Evropës Juglindorë, pronari dhe drejtori, të cilët për faturë për drekë, tash këtë edhe unë nuk e supozoj, ti supozoje a ka qenë drekë e BDI-s apo drekë e komunës? Çfarë organizimi ka qenë ky, këtë në prokurori duhet ta dëshmojnë. Është faturë prej diku 80 mijë denarë, diku 1200-1300 euro dhe për të cilën këta dy zotërinj kanë kontratë në vepër në Komunën e Tetovës dhe vetë dëshmojnë se nuk kanë bërë asgjë për Komunën e Tetovës”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Po ashtu tha se zyrtarë të BDI-së kanë parkuar pa pagesë në Tetovë.
“Sipas informatave që i kam mund të jetë një listë edhe më e gjatë e funksionarëve të BDI-së të cilët kanë pasur numrat e veturave të tyre të regjistruara në Ndërmarrjen e Parkingjeve, kanë mundur të parkojnë gjithandej nëpër Tetovë dhe prandaj Ndërmarrjen e gjeta me 200 mijë euro borxh”, tha Bilall kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Këtyre pohimeve të Kasamit, nga Bashkimi Demokratik për Integrim, iu përgjigjën shkurt:
“Bilalli le te realizon programin e premtuar para qytetareve dhe mos të justifikon dështimet e veta me shfaqje të përditshme te paaftësisë për të menaxhuar dhe drejtuar Tetovën tonë”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Duke folur në emisionin ClickPlus, kryetari i Tetovës, tha se lista e keqpërdorimeve në Komunë është më e gjatë se sa ai ka mundësi t’i publikojë dhe se si pasojë e këtyre keqpërdorimeve Komuna është zhytur në borxhe milionëshe./TV 21/