KAS rrëzon kërkesën e PD për pavlefshmëri për qarqet Elbasan, Fier, Tiranë e Durrës

Ilirian Rusmajli mbërriti i pari nga anëtarët e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve për të dhënë vendimin pas rinumërimit të pjesshëm të kutive të votimit për Elbasanin, Tiranën, Durrësin dhe Fierin.

Megjithëse rinumërimi është një kapitull i mbyllur dhe nga panorama e mandateve të prodhuara më 11 Maj u shkaktua vetëm 1 ndryshim mandati brenda PS në qarkun Fier, PD ngulmon për pavlefshmëri absolute në këto 4 qarqe.

Marash Logu përfaqësues i PD në KQZ renditi fillimisht 27 qendra votimi me probleme në qarkun e Elbasanit dhe më pas për tre qarqet e tjera në mbështetje të pretendimit për ribërje zgjedhjesh.

KAS më pas rrëzoi pretendimet e PD duke miratuar rezultatet e nxjerra nga KQZ për Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier. PD pritet t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor.

Kandidati demokrat Aulon Kalaja zhvilloi një tjetër protestë kësaj here përpara KQZ, me kërkesën për numërimin e të gjitha kutive në këtë qark dhe jo të pjesshëm siç ndodhi.

Pas një sër pyetjesh nga gazetarët Aulon Kalaja, pranoi se përpjekja e tij për transparencë të votës preferenciale, u minua nga brenda forcës së tij politike, paçka se procesi rinumërimit u mbështet nga Sali Berisha.

Megjithatë beteja e Aulon Kalasë nuk ndalet këtu. Me aq parregullsi sa u gjetën nga rinumërimi i pjesshëm i Durrësit ai do t’i drejtohet me një kallëzim SPAK për numëruesit tjetërsues të votës në favor të një kandidati tjetër të PD-s.


Shtuar 7.07.2025 19:06