Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë ditën e sotme në Shkodër, ku ka zhvilluar një takim me banorët, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 6 marsit.
Së bashku me Berishën ishte i pranishëm edhe kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Bardh Spahia.
Berisha ka komentuar edhe gjestin e Lulzim Bashës, i cili një ditë më parë hodhi tutje karrigen për të dhënë mesazh që beteja nuk duhet bërë për atë.
Berisha u shpreh sot se ai bën sikur nuk ka lidhje me karrigen por nga ana tjetër për karrigen iu hodhi gaz demokratëve ditën e protestës së 8 Janarit. Sipas Berishës, Basha është një “arrë me vrimë, që as nuk hahet, as nuk mbin”.
“Asnjë votë të mos japin për Lul Bravën, për opozitën false, njeri që është peng i dosjeve të tij. Në 8 vite ka kaluar nga humbja në humbje.
Si Don Kishoti ai kap karrigen dhe e hedh sikur nuk ka lidhje për karrigen ndërkohë që për karrigen ai iu hodhi ju gaz. Ai është arrë me vrimë që as nuk hahet, as nuk mbin. Prandaj asnjë votë kësaj arre me vrimë. Rrofshi ju, rroftë Shkodra, rroftë Shqipëria”, u shpreh Berisha./albeu.com/