Gjykata Penale e Apelit në Selanik ka dënuar me burgim të përjetshëm dy shqiptarë të cilët në muajin janar u kapën me 324 kg kokainë, një nga sasitë më të mëdha të sekuestruara nga autoritetet ligjzbatuese të qytetit, me një vlerë të vlerësuar mbi 30 milionë euro.
Sipas mediave vendase, të dënuarit me burgim të përjetshëm janë dy shtetasit shqiptar 39 dhe 37 vjeç, një shtetas serb, 38 vjeç është dënuar me 15 vite ndërkohë që është shpallur në kërkim një bashkatdhetar i këtij të fundit, 34 vjeç.
Operacioni policor u organizua nga Prokuroria e AntiDrogës së Selanikut, në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ndërsa paraprihej informacioni, sipas të cilit, dy shqiptarët do të shkonin nga Athinë në Selanik për të marrë një ngarkesë kokaine. Sipas të njëjtave informacione, i treti së bashku me bashkatdhetarin e tij 34-vjeçar, kishin mbërritur në Selanik me ngarkesën e paligjshme, ku kishin marrë me qira një apartament.
Siç përshkruhet në shkresat zyrtare, në momentin kur në parkingun e pallatit po transportohej një sasi e pjesshme e drogës së konfiskuar, nga minibusi në makinë, u zhvillua operacioni për kapjen e tre autorëve, ndërsa i katërti që po vëzhgonte nga banesa me qira, arriti të arratisej duke u hedhur nga ballkoni.
“Ngarkesa konsiderohet e sigurt se ka ardhur nga Amerika Latine. Këto sasi nuk vijnë në Greqi për të shëtitur”, dëshmoi në gjykatë kreu i Prokurorisë së Drogës së Selanikut, që kushton dhjetëra milionë euro.
Dy të pandehurit e parë, të dënuar me burgim të përjetshëm, në kërkim të faljeve mohuan çdo lidhje me drogën. Vetë ata thanë se shkuan në Greqinë e Veriut për të blerë disa makineri dhe dyshekë për hotelin e tyre, ndërsa emëruan një person që, siç pretendojnë ata, u ngriti kurth.
“Ai na shkatërroi jetën”, thanë ata.
Ndryshe nga sa më sipër, 38-vjeçari serb, të cilit i është dhënë zbutja dënimit së mëparshme ligjore, ka pranuar përfshirjen e tij në këtë rast.
“E pranoj krimin, e pranoj që jam fajtor. Më ofruan të shkoja në Greqi për të bërë diçka të paligjshme. Më duhej për shkak të borxheve. Pothuajse e dija se ishte drogë, por nuk dija as sasinë dhe as llojin e substancës”, tha ai në kërkim të faljes. Ai shtoi se jetonte në Londër dhe kishte një pasaportë false kroate në kohën e arrestimit.
Pas vendimit të Gjykatës të tre të pandehurit janë kthyer në burg, ndërsa për të pandehurin e katërt në kërkim do të hapet çështja nëse dhe kur arrestohet.