Një operacion antidrogë është zhvilluar ditën e sotme në Korçë.
Një makinë u kap me drogë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.
Paraprakisht bëhet me dije se gjatë kontrollit në doganë, u konstatua një sasi droge kanabis, rreth 51 kg.
Droga ishte fshehur në shasinë e mjetit tip “Audi Q7”.
Në pranga kanë rënë tre të persona, shoferi i makinës Audi që tentoi të kalonte drogën ne kufi dhe dy bashkëpunëtorët e tij.
Bëhet fjalë për Julian Suljotin 42 vjeç, Endri Merollin 28 vjeç dhe Stelio Suljoti 22 vjeç.
“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara gjatë fazave hetimore të këtij operacioni, ku shtetasi Julian Sulioti , dyshohej se do të trafikonte lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, organizuan punën dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e automjetit tip “Audi Q7”, që ky shtetas drejtonte.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, përfshirë edhe procesin e skanimit të kryer nga autoritetet doganore, në pjesën e shasisë të automjetit, në një vend të përshtatur u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 51 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një fabrikë riciklimi për vajrat e automjeteve, në pronësi të shtetasit Julian Sulioti, u gjet 1 armë zjarri pistoletë tip “Zastava”. Së bashku me sasinë e lëndës narkotike dhe armën e zjarrit, u sekuestruan 6 celularë dhe 5 automjete.
Nga hetimet e kryera dyshohet se bashkëpunëtorë të 42-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale ishin edhe dy shtetasit e tjerë Endri Merollin 28 vjeç dhe Stelio Suljoti 22 vjeç./albeu.com