Kapen 260 kg drogë në Vlorë, “turistët” rumunë vepronin për llogari të 5 shqiptarëve, 4 të arrestuar

Policia e Vlorës ka goditur një rast të tentativës së trafikimit të lëndëve narkotike.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Ermal Muçaj, në një konferencë për mediet ka bërë me dije se janë arrestuar 4 shtetas rumunë dhe janë sekuestruar 260 kg lëndë narkotike kanabis.

Gjithashtu gjatë operacionit të koduar “Camper” janë sekuestruar dy automjetet kamper që ishin përshtatur për transportimin e lëndës narkotike.

Operacioni u zhvillua në orët e para në mëngjesit ku u bë dhe arrestimi në flagrancë i katër shtetasve rumunë që transportonin një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, me 2 automjete luksoze të tipit “Camper”, me targa rumune, me qëllim trafikimin e kësaj lënde në shtetin grek e më tej.

Të arrestuar

Konkretisht u arrestuan në flagrancë shtetasit: Marius Cimpeanu, 20 vjeç, Mihaela Cimpeanu, 20 vjeçe, Florin Tucan, 24 vjeç dhe Andreea Pislaru, 21 vjeçe, të katërt me shtetësi rumune. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 5 shtetas, si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, por për arsye hetimi të dhënat e tyre nuk bëhen publike.

Çfarë u gjet gjatë kontrollit

Gjatë kontrollit të automjeteve të tyre, në tentativë për të dalë nga territori shqiptar, u gjetën të fshehura në një ndarje të fshehtë dhe të përshtatur artificialisht, në automjet, një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike.

Vendet e fshehta të përshtatura u zbuluan në të dy CAMPERAT e sekuestruar.

Si funksiononte grupi

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, për llogari të disa bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, tashmë të shpallur në kërkim, kamufloheshin si turistë, duke marre me qera campera luksozë, dhe të ndarë në dy çifte kryenin trafikimin e lëndës narkotike nga vendi ynë për në Greqi dhe më tej.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të bashkautorëve të tjerë shqiptarë tashmë të shpallur në kërkim nga Policia./Albeu.com/.