Kaosi në Kuvend, përjashtohen me 10 ditë tre deputetët e opozitës (EMRAT)

Sekretariati i Etikës së Kuvendit ka marrë vendimin për të përjashtuar me 10 ditë nga aktivitetet parlamentare tre deputetë të Partisë Demokratike, pas kërkesës së Partisë Socialiste.

Bëhet fjalë për deputetët Ervin Salianji, Edmond Spaho dhe Petrit Doda, që sipas mazhorancës ishin përgjegjës për kaosin e shkaktuar në seancën e fundit plenare. Janë rreth 15 deputetë të Partisë Socialiste që mblodhën firmat për të kërkuar përjashtimin e kolegëve të tyre të opozitës.

“Në nisje të seancës, deputeti Ervin Salianji, zaptoi foltoren duke penguar zhvillimin normal të punimeve plenare, si dhe i ndihmuar nga deputetët Petrit Doda dhe Edmond Spaho, ndezi disa flakadën në sallën e seancave”-thuhej në kërkesën e PS-së.

Sekretariati i Etikës u mblodh online, me argumentin se deputeti i PD-së, Flamur Noka shkuli mikrofonat në sallën ku zhvilloheshin mbledhjet.

Ditën e djeshme, opozita i përmbysi karriget e deputetëve socialistë rreth foltores së Kuvendit, ndërsa deputeti Ervin Salianji ndezi dhe dy tymuese, një blu dhe një mavi tek foltorja. Në njoftimin e Kuvendit thuhej se të përjashtuar nga mbledhja online e sekretariatit ishin deputetët Saimir Koreshi dhe Bledion Nallbati, për shkak të trazirave të seancës së kaluar.


Shtuar 3.11.2023 16:04