Ende nuk është dhënë një përgjigje e qartë për errësirën që “ka pushtuar” aeroportet ndërkombëtare, ndërsa mijëra njerëz janë në pritje të fluturimeve dhe pyetjet e tyre ende s’kanë marrë përgjgjie.
“Një defekt teknik bëri që sistemi automatik për përpunimin e fluturimeve të ndalonte së punuari, që do të thotë se gjithçka duhej bërë me dorë, gjë që ngadalësoi procesin,” vëren BBC.
Pasojat domino të problemit, siç shkruajnë mediat britanike, mund të reflektohen edhe në trafikun ajror të ditëve në vijim.
BBC rithekson se Downing Street ka hedhur poshtë mundësinë që dëmi të jetë shkaktuar nga hakerimi.
Megjithatë hetimet vijojnë për zbardhjen e rastit, ndërkohë që sot janë anuluar qindra fluturime britanike.
Një zëdhënës i Downing Street, pas deklaratave të ministrit britanik të transportit, përsëriti se dëmtimi i kontrollit të trafikut ajror nuk është shkaktuar nga një sulm kibernetik .
“Informacioni që kemi është se nuk ka pasur asnjë sulm kibernetik. Shkaku i saktë i problemit do të hetohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe më pas do t’i dorëzohet qeverisë”, tha zëdhënësi.
Kujtohet se të hënën në aeroportet evropiane ka mbizotëruar një skenë kaosi me mijëra fluturime të anuluara dhe publikun në gjendje të dëshpëruar që kërkon përgjigje.
Tregues i përmasave të problemit është fakti se Ryanair njoftoi se fluturimet u anuluan për 40 mijë pasagjerë.
Që kur problemi u shfaq për herë të parë në Britani, më shumë se një e katërta e fluturimeve të planifikuara për ditën e djeshme janë anuluar.
Gjithashtu theksohet se ata që janë planifikuar të hipin në një fluturim nesër do të përballen sërish me vonesa të konsiderueshme.
Agonia mbizotëron për turistët që nuk kanë mundur të kthehen në vendlindje, ndërsa kërkohet që të informohen vazhdimisht për çdo ndryshim në fluturimet e tyre./Albeu.com/