KAOSI/ Aeroporti i Rinasit nuk menaxhon dot udhëtarët, kërkohet paraqitja tre orë para fluturimit!

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njoftuar udhëtarët që për një muaj, duke filluar nga sot, duhet të paraqiten 3 orë para nisjes.

Kjo masë, sipas TIA, përmirëson përvojën e përgjithshme dhe procedurat e nevojshme kryhen me lehtësi dhe efikasitet, ndërsa duket qartë që ka mungesë të kapaciteteve dhe ekspertizës për menaxhimin e udhëtarëve pasi edhe aerportet me fluksin më të madh në botë kërkojnë maksimumi paraqitjen dy orë para fluturimit e jo tre siç kërkohet në Shqipëri.

Rinasi është duke u frekuentuar nga një numër i madh pasagjerësh për shkak të problemeve me fluturimet gjatë pandemisë si edhe sezonit turistik, por duket se kompania që ka koncensionin nuk po e menaxhon situatën siç duhet duke dalë në thirrje të tilla ndaj udhëtarëve.

Njoftimi:

Tirana International Airport dëshiron t’ju informojë për një përditësim në lidhje me procesin e checkin dhe sigurisë në Tirana International Airport (TIA) nga sot deri më 10 shtator.
Për të siguruar udhëtim të qetë dhe për të akomoduar pasagjerët e shtuar gjatë kësaj periudhe, do t’iu kërkonim të gjithë pasagjerëve të mbërrijnë në aeroport të paktën 3 (tre) orë përpara kohës së planifikuar të nisjes.
Ju lutemi, merrni parasysh kohën e mundshme shtesë që kërkohet për kontrollin e bagazheve, kontrollet e sigurisë dhe çdo rrethanë të paparashikuar që mund të zhvillohet.
Kjo masë synon të përmirësojë përvojën e përgjithshme të udhëtimit për të gjithë pasagjerët. Si gjithmonë, siguria dhe komoditeti juaj mbeten prioritetet tona kryesore. Duke mbërritur herët, ju na lejoni të kryejmë procedurat e nevojshme me shpejtësi dhe efikasitet. Faleminderit për bashkëpunimin dhe presim t’ju shërbejmë gjatë udhëtimit tuaj nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.


Shtuar 9.08.2023 12:29