“Kanë ndodhur çudira me pronat e shqiptarëve”, Rama prezanton reformën për Kadastrën: Aktori kryesor korrupsioni

Kryeministri i vendit Edi Rama ditën e sotme ka qenë i pranishëm në prezantimin e reformës për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se edhe pse kanë pasur një kohë të gjatë në dispozicion, nuk kanë arritur që ta transformojnë Kadastrën në atë që ajo është në të vërtetë. Sipas tij, Kadastra është bankë, dhe e krahason me Bankën e Shqipërisë apo Bankat e niveleve të dyta ku mbahen kursimet e shqiptarëve.

Rama: Si çdo bankë, Kadastra nuk është një fole për qoka, për njerëz që nuk kanë lidhje me atë punë. Kadastra është penguar në radhë të parë nga ju, kur them nga ju nuk kam ndërmend secilin prej jush personalisht, por atë që ju përfaqëson, deputetë, ministra, kryetarë bashkish. E vërteta tjetër është se e shkuara e tmerrshme me harta të konsumuar nga palosjet dhe shpalosjet me tituj pronësie të lëvizshëm sipas interesave dhe me mbivendosje pronash nga papërgjegjshmëria e plotë që është karakteristika numër 1 e personave që futen në një mision jo për të bërë misionin, apo dhe e personave që edhe kur duan ta bëjnë punën janë injorantë, ka bërë që ne të trashëgojmë situatën më katastrofike në Evropë.

Rama tha se askush nuk mund ta mohojë se është bërë shumë përpjekje, por askush nuk mund ta mohojë kur jemi në kushtet që nuk mund të themi se kemi arritur atë që duhet.

Rama: Kemi parë para syve tanë që të ndodhin çudira me pronat e shqiptarëve. Aktori kryesor i gjithë kësaj historie të zymtë është korrupsioni, paraja, po ajo shprehja kur gjenerali shkul një mollë, ushtarët marrin gjithë pemën ka bërë që për shkak se influenca politike mbi Kadastrën e deputetëve, kryebashkiakëve dhe të tjerëve ka qenë shumë e pranishme të tjerët kanë bërë 1000-fishin e asaj që kanë qenë të detyruar nga lidhje miqësore, familjare, klanore etj…

Ai tha se prej 3 korrikut Kadastra nuk do të jetë më e aksesueshme dhe i bëri thirrje qytetarëve që mos shkojnë më sepse nuk do t’i presë askush. Tashmë Kadastra do të jetë një dritare në e-Albania ku do të bëhen aplikimet dhe do të merren përgjigjet.

/Albeu.com/. 


Shtuar 30.06.2023 11:26