Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka shpjeguar motivet e kandidimit të tij në primaret e Partisë Demokratike, ku nëse do të jetë fitues do të duhet të lërë mandatin e deputetit për t’u përballur me kandidatin socialist në zgjedhjet e 14 majit.
Duke arsyetuar kandidimin e tij, Këlliçi tha se ai ka rekorde publike të opozitarizmit dhe është i sprovuar.
“Gjykoj që ky moment është moment historik.
Gjykoj që kam një rekord publik të opozitarizmit dhe jam një politikan në opozitë, që nga denoncimi i aferës së inceneratorëve, në punën time në komisionin me aferën që lidh drejtpërdrejtë bashkinë e Tiranës. Gjithashtu me qëndresën e Teatrit, natën jam marr forcërisht dhe jam në gjyq.
Jam politikan dhe kam mundësi të jem në sallën e parlamentit dhe gjykoj se gjithçka duhet lënë mënjanë për një interes më madhor”, tha Këlliçi.
I pyetur për shanset që ka përballë Veliajt nëse del fitues në primare, Këlliçi tha se është një njohës i mirë i Tiranës dhe problemeve të saj.
“Jam i sprovuar. Vitin e kaluar jam ndër të paktët deputetë që kam kaluar pragun, e njoh Tiranën. Kam treguar që di ta mbaj votën edhe në bastionet më të egra të PS. Përfaqësoj zonën më të varfër të Tiranës, Kombinatit dhe fshatrat përreth dhe di problemet që ka çdo qyetar i Tiranës”./Opinion.al