Kampi ukrainas i fëmijëve që u shndërrua në skenë ekzekutimesh

Ishte fund marsi, që kur rusët u larguan nga Kievi, kur trupat e mbi një mijë civilëve u zbuluan në rajonin e Bucha-s.

Më të shumtët prej tyre u varrosën nxitimthi në varre të cekëta.

Në bodrumin e ftohtë dhe të lagësht në buzë të pyllit, që e bëri Bucha-n një vend popullor për t’u larguar para luftës, pesë burra ukrainas u detyruan të gjunjëzoheshin.

Atje, në të djathtë të hyrjes, ka gurë të veshur me gjak që kanë marrë ngjyrë të kuqërremtë.

Mes tyre gjendet e shtrirë një kapelë e leshtë ngjyrë blu me një vrimë në njërën anë dhe anësoren e saj të njomur në gjak.

Në mur, numërohen një duzinë me vrima plumbash.

Disa hapa më tutje janë mbetjet e një pakete racioni ushtarak rus. Një kanaçe e hapur me qull orizi me mish viçi dhe një pako bosh.

Mbishkrimet e gjendura në mur janë kujtesë se vendi shërbente si kamp për fëmijët.

Por, kur trupat ruse u zhvendosën në Bucha, pak jashtë kryeqytetit, në fillim të marsit, Camp Radiant u bë terren ekzekutimi.

Historia e vrasjeve në kampet verore është rrëqethëse.

Më shumë se një mijë civilë u vranë në rajonin e Bucha-s gjatë një muaji nën pushtimin rus, por shumica nuk vdiqën nga bombardimet.

Më shumë se 650 prej tyre u qëlluan për vdekje nga ushtarët rusë.

Tani, Ukraina është në kërkim të vrasësve.

Volodymyr Boichenko jetonte në Hostemel, pranë fushës ajrore, ku u ulën forcat e para ruse në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Ukrainës.

Kur motra e tij Aliona Mykytiuk vendosi të ikte para se lufta të arrinte tek ajo, iu lut Volodymyr-it që t’i bashkohej.

Ai ishte civil, jo ushtar, por donte të qëndronte dhe të ndihmonte.

Kështu, ai i kaloi ditët duke kërkuar në Hostemel për ushqim dhe ujë për fqinjët, duke përfshirë fëmijë, të cilët ishin bllokuar në bodrume nga bombardimet e vazhdueshme dhe sulmet ajrore ruse.

Volodymyr-i, 34-vjeçari që kishte udhëtuar nëpër botë me marinën tregtare, i telefonoi familjes së tij shumicën e ditëve për t’i siguruar se ishte shëndetplotë.

Kurse e motra, Aliona, priste me nervozizëm telefonatat e tij të shkurtra.

Ajo e dinte se ai duhej të lëvizte në një vend më të lartë për të siguruar një lidhje dhe nëse bombardimet shtoheshin, ishte e pamundur të largohej prej andej.

Teksa furnizimet shteronin, ajo i kërkonte të vëllait të përpiqej të arratisej.

Por, rrugët ishin të bllokuara.

Hera e fundit që Aliona ia dëgjoi zërin të vëllait ishte më 8 mars. Asokohe, ai i tha asaj të mos shqetësohej për të.

Me sytë e rrëmbushur që nuk mund t’i mbanin më lotët pa u derdhur, Aliona kujton tri fjalë të tij, “të dua vërtet”.

Katër ditë më vonë, Volodymyr u pa nga fqinjët afër. Dhe, papritmas, u zhduk.

Në mars, luftimet rreth Kievit ishin intensive dhe qyteti i vogël i Bucha-s ishte në epiqendër.

Në fillim të prillit, tërheqja e trupave ruse zbuloi skena që tronditën botën: trupat e banorëve u rrëzuan në rrugët ku ishin qëlluar.

Kurse për Moskën, vrasjet ishin inskenuar. Një ide sa e shtrembëruar, aq edhe e rreme.

Të vendosur për t’i zbuluar përgjegjësit, hetuesit ukrainas janë të zënë me mbledhjen e provave të forta në territorin që tani është kthyer nën kontrollin e tyre.

“Nuk e dimë se cilat janë planet e Putin-it, kështu që po punojmë sa më shpejt të jetë e mundur në rast se ai hedh një bombë dhe shkatërron të gjitha provat”, ka thënë shefi i policisë rajonale të Kievit, Andrii Niebytov.

Provat përfshijnë një fushë plot me makina civile të shpuara me vrima të shumta plumbash, të grumbulluara anës Bucha-s.

Bëhet fjalë për automjete që u qëlluan në momentin kur familjet tentuan të iknin. Njëra ka ende një leckë të bardhë të varur në dritare, për t’u treguar ushtarëve se banorët nuk ishin kërcënim.

Pak t’u afrohesh dhe…. ndjehet duhma e vdekjes.

Kur trupat në Camp Radiant u zbuluan më 4 prill, Volodymyr Boichenko ishte mes tyre.

Aliona kishte kaluar javë të tëra duke telefonuar furishëm në spitale dhe morgje. Atë ditë, asaj iu dërgua një fotografi për identifikim.

Ende pa e hapur, e dinte se ishte i vëllai.

“I urrej me çdo qelizë të qenies sime. E di që është e gabuar të thuhet, por ata nuk janë njerëz. Nuk kishte asnjë copë toke në trupat e atyre burrave që të mos ishte rrahur”.

Pesë burrat u gjetën të përkulur në gjunjë, kokën ulur dhe duart të lidhura pas shpine.

“E dimë se ata janë torturuar. Ushtria ruse e ka kaluar kufirin sesi zhvillohet lufta. Ata nuk luftuan me ushtrinë ukrainase, ata torturuan popullsinë civile”, ka treguar shefi i policisë.

As Zyra e Prokurorit dhe as shërbimi i sigurisë nuk do të zbulojnë detaje të hetimeve në vazhdim, por disa ushtarakë rusë kanë qenë aq të pakujdesshëm në mbulimin e gjurmëve saqë ka të ngjarë të ketë të dhëna të konsiderueshme.

Madje, njësitë e mbrojtjes territoriale të Ukrainës kanë zbuluar lista të ushtarëve në disa pozicione të braktisura.

Shërbimet e sigurisë të Ukrainës, me një vëllim të dendur pune me më shumë se 11 mijë raste të mundshme të krimeve të luftës, u kanë bërë thirrje për ndihmë civilëve me njohuri digjitale.

Një prej atyre që i është përgjigjur thirrjes është Dmytro Replianchuk, gazetar që ka punuar për të ekspozuar korrupsionin brenda organeve të zbatimit të ligjit të Ukrainës përpara luftës.

Tani, ai ka bashkuar forcat me prokurorët, duke kërkuar në internet për të dhëna shtesë për të ndihmuar në kapjen e kriminelëve të dyshuar të luftës.

“E kuptoj që do të jetë e vështirë dhe shumë raste nuk do të zgjidhen. Por, në këto javë, është e rëndësishme të gjejmë sa më shumë informacion të jetë e mundur”, ka sqaruar Dmytro.

Një e dhënë e mundshme ndodhet mes mbeturinave të kampit, mbështjellë nga një pako e dërguar nga një grua e quajtur Ksyuha te një ushtar rus, emri dhe njësia ushtarake e të cilit janë shënuar qartë.

Njësia 6720 është e vendosur në Rubtsovsk, në rajonin Altai të Siberisë.

Më parë, ka qenë e lidhur me Bucha-n kur ushtarët nga qyteti u kapën duke u dërguar pako gjigante të afërmve plot me mallra që ata kishin grabitur nga shtëpitë ukrainase.

Ende nuk ka siguri nëse ushtarët nga Rubtsovsk ishin vendosur në kampin e fëmijëve, apo ishin atje kur u vranë burrat.

Policia fillimisht duhet të përcaktojë një kohë më të saktë të vdekjes.

“Jemi duke punuar për të, por nuk është një gjë e shpejtë”, ka treguar Niebytov.

“Por ai kamp ishte një shtab, kështu që do të kishte një komandant. Ushtarët nuk mund të kishin ekzekutuar askënd pa dijeninë e komandantit. Fillimisht do të gjejmë organizatorët dhe, më pas, do të kërkojmë zbatuesit”, ka shtuar.

Përtej rrugës së Camp Radiant, pas një kishe të spërkatur nga copëzat e bombarduara, ka shenja jete.

Djem të rinj vrapojnë rreth oborrit, ndërsa një burrë rregullon parvazet e drunjta të dritareve të thyera nga bombardimet e pandalshme.

Sakaq, një dyqan i vogël sapo është rihapur për t’u shërbyer të tjerëve që po nisin riparimet e tyre.

Teksa vendasit ecin nëpër rrugë, diskutojnë ditët kur tanket ruse u futën në qytetin e tyre, ushtarët që gjuanin egërsisht dhe ata që bridhnin rrugëve të dehur, duke vjedhur nga shtëpitë e tyre.

Kujtojnë edhe një vendas që u arratis në pallatin e tyre nga kampi veror përballë dhe që e kishin strehuar pavarësisht rrezikut.

Viktor Sytnytskyi nuk e njihte më parë kampin. Ama të gjitha detajet që ai jep, përputhen.

Tani, ai ndodhet në Ukrainën Perëndimore.

Ishte fillimi i marsit, kur ai u rrëmbye nga ushtarët rusë në rrugë. Ia lidhën duart dhe ia mbuluan sytë me kapele, e më pas e tërhoqën zvarrë në një bodrum, për të cilin ishte i sigurt se ishte në terrenin e kampit të fëmijëve.

Rusët, atje, i derdhën ujë mbi këmbë që të ngrinte dhe i mbajtën një armë në kokë.

“Ata pyesnin pareshtur. Ku janë trupat? Ku është Zelensky? Njëri prej tyre përmendi Putin-in, thashë diçka të vrazhdë dhe ai më goditi”, ka kujtuar ai.

Ai është i tmerruar nga robëruesit e tij.

Por atë natë, Viktori pati fat. Pati bombardime të forta dhe, kur e kuptoi se robëruesit nuk po e ruanin më, vrapoi për të shpëtuar.

“Kam llogaritur se kisha më shumë shanse për të mbijetuar nën bombardime se sa, nëse do të qëndroja në atë bodrum, ata ma kishin vënë armën në kokë. Nuk do t’u kushtonte kurrgjë ta tërhiqnin këmbëzën”, ka thënë.

Në historinë tjetër, nga një varr i përbashkët nën kampin e fëmijëve, trupi i Volodymyr Boichenko tani gjendet në lulëzimin e qershisë në varrezat e vjetra të Bucha-s.

Pas funeralit, Aliona e pa sërish fytyrën e të vëllait në ëndërr, sikur ai po e ngushëllonte.

Në pllakën e varrit është shënuar veç ditëlindja e tij, jo data e vdekjes, sepse familja nuk e di atë.

Ata mund të mos e dinë kurrë, veçse nëse gjendet komandanti rus që mori nën kontroll kampin.

Si të gjithë në Bucha, ata e dinë se civilët janë në shënjestër nga ushtarë rusë, të cilët ose nuk i dinë rregullat e luftës, ose nuk u interesojnë ato.