“Kam vrarë 25 talebanë në Afganistan”, Princi Harry: I kam konsideruar si gurë shahu…

Princi Harry ka zbuluar se gjatë turneut të tij të dytë të detyrës në Afganistan ai vrau 25 talebanë. Duke folur në librin e tij të ri “Spare” për kohën kur ishte në Afganistan, Duka i Sussex shkruan se ai “nuk i mendonte talebanët si njerëz, por si gurë shahu që arriti t’i eliminonte nga tabela e shahut”.

Madje sipas Telegrafit dhe asaj që raporton Daily Mail, Princi Harry thekson se “nuk ishte një numër që më mbush me kënaqësi, por as nuk më vë në siklet”. Kjo është hera e parë që djali i dytë i mbretit Charles III flet hapur për numrin e talebanëve që ai vrau gjatë shërbimit në zonën e luftës në Afganistan.

Dhe e gjithë kjo ndërkohë që beteja e tij ligjore me Ministrinë e Brendshme Britanike është në vazhdim. Kujtohet se ministria britanike vendosi të mos sigurojë mbrojtje të plotë policore për Harry dhe familjen e tij kur ata të vizitojnë Britaninë e Madhe.

Ndërkohë, avokati i Princit Harry tha në një deklaratë se klienti i tij nuk “ndihet i sigurt” kur ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar pasi një nga privilegjet nga të cilat duhej të hiqte dorë kur hoqi dorë nga detyrat e tij mbretërore ishte ai i mbrojtjes.

Kujtohet se Princi Harry më parë konsiderohej shënjestër e terroristëve si për shkak se kishte lindur në Afganistan dhe për shkak se ishte anëtar i familjes mbretërore.

Ky është një tjetër zbulim në autobiografinë e tij ‘Spare’, e cila do të publikohej më 10 janar, por tashmë është publikuar në Spanjë dhe pjesë të saj po transmetohen nga mediat britanike./Albeu.com/ 


Shtuar 5.01.2023 18:47