“Kam një makinë modeste, një Ferrari”, kandidati për kryetar komune në Kosovë detyrohet të japë shpjegim

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Xhemajl Hasani deklaroi para pak ditësh se kishte një makinë sipas tij modeste, një ferrari.

Kandidati i Partisë NISMA gjatë asaj interviste bëri menjëherë bujë pasi të gjithë shprehën habinë se si një makinë mbi 70 mijë euro mund të quhet modeste.
Por ditën e sotme Hasani bëri një “korrigjim” dhe tha per “Shqipëria Live” se “Ferrarin e ka dhuratë nga familja e tij”.

I pyetur nëse ka bërë shaka apo ishte mjaft serioz me deklaratën, Xhemajli tha: “Unë edhe garën e kam marrë me seriozitet. Edhe në atë debat kam qenë serioz. Një makinë modeste, dhuratë nga familja. E kur më tha çfarë është modeste, thashë Ferrari, pasi për mua çdo mjet është modest. Automjetin e kam dhuratë nga familja, edhe shtëpinë ku jetoj. Dhuratë kam edhe vilat. Jetoj një jetë modeste”, shprehet kandidati i Podujevës.

Ndërsa kur u pyet nëse e ka të deklaruar të gjithë pasurinë, Hasani tha: “Të gjitha i kam të deklaruara, lirisht mund të hulumtoni”./albeu.com