Kaluan me Berishën, Bardhi: Emrat e rinj të kryetarëve të degëve që kemi zëvendësuar

Një ditë përpara mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha, Partia Demokratike ka nisur zëvendësimet e kryetarëve të degëve që u shkarkuan pak ditë më parë, pasi kaluan me grupin e Sali Berishës.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi konfirmoi për gazetarin e “ABC”-së Juxhin Mustafaraj se janë caktuar për drejtimin politik të degëve: Red Varaku në Shijak dhe deputeti Bledion Nallbati në Devoll.

Në pjesën tjetër drejtimin do ta marrin nënkryetarët e degëve. Vendimi i selisë blu vjen pasi atij të kryesisë që pak ditë më parë shkarkoi kryetarët e 11 degëve; Tropojë, Shijak, Fushë-Krujë, Tirana 1, Tirana 3, Tirana 9, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Nesër do të jetë një tjetër provë force mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Ish-kryeministri do të organizojë referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës, teksa ky i fundit ka thirrur Kuvendin e Partisë ku pritet që të merren disa vendime politike./ Abcnews.al