“Ka varësi nga bixhozi”, psikiatri i Tonalit tregon pse vuri bast për fitoren e Milanit

“I varuri nga bixhozi ka ritualin e tij, ai ndjek një sekuencë supersticioze. Sandro ka vënë bast që Milani të fitojë për shkak të kësaj. Ishte pjesë e ritualit të tij me fatin, quhet ‘mendimi magjik'”.

Fjalë këto të thëna nga profesor Gabriele Sani, drejtor i departamentit të psikiatrisë klinike dhe urgjente në Poliklinikën Gemelli, i cili trajton Sandro Tonalin për varësinë ndaj bixhozit. Ish-mesfushori i Milanit është një nga të përfshirët në skandalin e basteve të paligjshme në Itali, që tashmë ka kërkuar ndihmën e specialistëve të fushës për të dalë nga “tuneli”.

“Nëse ai ka mbërritur atje ku ka mbërritur, pavarësisht kësaj barre, pasi të jetë çliruar prej saj, do të jetë në gjendje të shprehë potencialin e tij sa më shumë, ndoshta më mirë se më parë”, – potencoi psikiatri i njohur italian në intervistën për “Gazzetta dello Sport”.

Profesor Sani u përpoq të shpjegonte me detaje se çfarë i kalon në mendje një njeriu, edhe futbollisti, që vuan nga varësia nga bixhozi: “Po flasim për një varësi patologjike, që ka tipare qartësisht të identifikueshme në nivel objektiv.

Ka mjete përkufizimi të kodifikuara në nivel ndërkombëtar. Më e dukshmja: humbja e plotë e kënaqësisë për atë që bën, e zëvendësuar me të qenit i detyruar për ta bërë atë.

Procesi i trajtimit fillon me mirëseardhjen dhe njohjen e personit, pacientit. Pastaj përshkruhet trajtimi multidisiplinar dhe i personalizuar që përfshin në mënyrë harmonike psikiatër, psikologë dhe grupe terapeutike.

Kjo patologji i prek të gjithë, pa dallim. Një futbollist i ri ka stres dhe përgjegjësi që rrjedhin nga presionet e jashtme, nga vëmendja e medias. Situata që mund të gjenerojnë ankth dhe të aktivizojnë një mekanizëm jofunksional, ku ‘kura’ bëhet adrenalina e basteve.

Kjo bëhet diçka pa të cilën nuk mund të jetosh më, një sjellje kompulsive, e pakontrollueshme, në të cilën fitimi i mundshëm nuk ka të bëjë absolutisht me të”.


Shtuar 20.10.2023 12:12