Juventusit i kthehen pikët, tronditen Interi dhe Milani

Juventusi ka fituar gjyqin në Këshillin e Garancisë në Komiteini Olimpik Italian. Ose të paktën pjesërisht, pasi ka marrë mbrapsht 15 pikët që i kishte hequr Federata Italiane nga renditja e këtij sezoni në Serinë A.

Bardhezinjtë kishin kundërshtuar vendimin e Federatës mbi çështjen e plusvalencave duke e cilësuar heqjen e pikëve si të parregullt dhe të pabazuar në rregullore. Deklarata e prokurorit të Federatës Italiane i cili i pranoi pasaktësitë në vendimin e mëparshëm, u dha atyre një ndihmë.

Këshilli i Garancisë i mbledhur sot, i dha të drejtë Juventusit duke anuluar vendimin e mëparshëm. Kështu, bardhezinjtë do të kenë përsëri 15 pikët që i ishin hequr, duke bërë një hov të rëndësishëm në renditje dhe në garën për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.

Por vendimi i sotëm parashikon që çështja të kthehet për rigjykim në Komisionin e Apelit të Federatës Italiane. Që do të thotë se mund të ketë dënime në të ardhmen për bardhezinjtë për këtë çështje. Por në një periudhë të dytë dhe për shkak të afateve ligjore, do të jetë thuajse e pamundur që të ndodhë një gjë e tillë në sezonin aktual.

Ndërkohë, janë konfirmuar dënimet e drejtuesve Anjeli, Paratiçi, Kerubini dhe Arrivabene. Kurse janë kthyer për rigjykim në Apel çështjet e Velano, Nedved, Garimberti, Gracioli-Venier, Hjugs, Marilungo dhe Ronkaljo.


Shtuar 20.04.2023 18:52