“Ju kërkoj ndjesë përulësisht familjeve”, Mediu për “Gërdecin”: Do doja të zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam forcë

Fatmir Mediu u paraqit sot në GJKKO, në seancën e radhës për çështjen e shpërthimit në depon e demontimit t municioneve në Gërdec.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, para trupës gjykuese ka shpjeguar pozicionin e tij, duke deklaruar ndër të tjera se tha se “që prej ditës së shpërthimit, në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe”.

Ai thekson se nuk ka asnjë përgjegjësi penale për këtë tragjedi, duke shtuar se rihapja e çështjes është plotësisht në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.

“Që prej 15 Marsit të vitit 2008, jeta e disa prej njerëzve që janë sot në këtë sallë, ka ndryshuar rrënjësisht. Pas shpërthimit në Gërdec, shumë prej tyre përjetuan ngjarje të rënda, deri në humbjen tragjike të njerëzve të tyre të dashur. Kjo ngjarje tragjike ndryshoi gjithashtu jo pak jetën time dhe të familjes sime. Që prej asaj dite në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe ju shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore.

Edhe pse, as me dashje dhe as nga pakujdesia, nuk janë veprimet, apo mosveprimet e mia, apo dhe interesi im personal, ato që shkaktuan, apo ndikuan në shpërthimin në Gërdec, përsëri si ministër i mbrojtjes, unë kam njohur dhe kam pranuar dje dhe pranoj sot përgjegjësinë time të plotë morale për çfarë ndodhi.

Në reflektim të kësaj përgjegjësie, si dhe prej dhimbjes së madhe për jetët e humbura, unë dhashë dorëheqjen nga detyra e ministrit të mbrojtjes.

Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes time si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj. Kam zgjedhur të jem i kursyer në shpjegimet e mia publike dhe të shmangë sa të mundem të flas për ngjarjen.

Me bindjen se shpjegimet dhe të vërtetat e mia rreth ngjarjes, për familjen Durdaj dhe të tjerët, jo vetëm nuk do të ishin një lehtësim i dhimbjes së tyre, por përkundrazi.

Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri.

Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit.

Veç familjarëve, kushdo tjetër ka detyrim moral, por kur është rasti edhe detyrim institucional, që vlerësimin dhe gjykimin për atë ngjarje ta bëjë bazuar vetëm në fakte. Mbi të gjitha ky detyrim është për prokurorinë dhe gjykatën, si dy institucione kompetente që vlerësojnë ligjërisht përgjegjësitë penale të individit.

Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.

Dua  të besoj se nxitja për ta rihapur këtë çështje dhe për ta vazhduar gjykimin, nuk është politike dhe se ju nuk keni apo mbështesni interesa politike në këtë proces. Si prokuror dhe gjyqtar, është e qartë që juve nuk ju mungon aftësia profesionale dhe dija për ligjin penal e më gjerë. Ndaj mbetet të keni kurajo të respektoni strikt ligjin dhe vetëm ligjin”, ka deklaruar Mediu në sallën e gjyqit.


Shtuar 30.11.2023 11:03