Përmes një video në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jordia Tabaku, ka renditur tre arsye pse shqiptarët paguajnë 40% më shtrenjtë për produktet, krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.
Më tej, Tabaku deklaron se thotë se arsyeja e parë është taksimi socialist, arsyeja e dytë lidhet me tregjet e kapura dhe arsyeja e tretë janë të aedhurat, të cilat po bien gjithnjë e më shumë.
“Ka tre arsye të thjeshta dhe të qarta se pse shqiptarët paguajnë 40% më shtrenjtë për produktet krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, kryesisht për produktet ushqimore. Arsyeja e parë është taksimi socialist, i cili vendos një taksë të lartë që përfshin akcizën për karburantin, TVSH-në dhe mbështetjen për produktet e shportës. Arsyeja e dytë lidhet me tregjet e kapura, të cilat kontrollohen nga një numër i vogël kompanish.
Ky fakt e bën të pamundur për operatorët e vegjël dhe bizneset e vogla që të hyjnë dhe të konkurrojnë në treg. Arsyeja e tretë janë të ardhurat e disponueshme, të cilat po bien gjithnjë e më shumë, duke zvogëluar fuqinë blerëse të konsumatorëve. Megjithëse shifrat zyrtare të inflacionit mund të jenë të ulëta, realiteti në xhepat e njerëzve është krejtësisht ndryshe. Ky është realiteti që duhet të ndryshojmë: shitjet e produkteve me çmime të larta për shkak të tregjeve të kapura, mungesën e konkurrencës dhe kapjen e tregut”, shprehet deputetja e PD.