Joe Biden jep alarmin: Ka gjasa që Rusia të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm

Presidenti amerikan Joe Biden është shprehur se ekziston mundësia që Rusia të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Emily Hournei e cila “zbardhi” edhe një bisedë telefonike mes Biden e homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky, të mbajtur të enjten.

Gjatë takimit të dy presidentëve, Biden “ripohoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për t’u përgjigjur me vendosmëri nëse Rusia pushton Ukrainën”.

Nga ana e tij, Zelensky tha se të dy liderët diskutuan “përpjekjet e fundit diplomatike për të de-përshkallëzuar” situatën dhe ranë dakord “për veprime të përbashkëta në të ardhmen”.

Megjithatë, një zyrtar ukrainas i tha CNN se telefonata e dy presidentëve “nuk shkoi mirë” për shkak të mosmarrëveshjeve mbi nivelin real të rrezikut të konfliktit, pasi Kievi e konsideron si më pak të mundshme ndërhyrjen ruse.

Në të njëjtën kohë, informacionet tregojnë se përforcime të mëtejshme të forcave ruse kanë mbërritur në kufirin ruso-ukrainas. Nga një vlerësim i mëparshëm rezulton se në kufi ndodheshin 127,000 trupa ruse./albeu.com/


Shtuar 28.01.2022 13:33