Jo vetëm me gomone, por edhe me kamionë, Daily Mail: Nxjerr zbuluar trafikantët që u premtojnë shqiptarëve “ëndrrën angleze”

Shqiptarët që shkojnë ilegalisht me gomone në Angli janë kthyer tashmë në një fenomen, me autoritetet britanike që kanë ngritur alarmin për të ndaluar ardhjet masive nga Shqipëria me gomone.

Shkrimet në mediet britanike për emigrantët ilegalë kanë qenë të shumta. I tillë është edhe artikulli i fundit i publikuar nga Daily Mail.

Artikulli ka nxjerrë zbuluar se si shqiptarët shkojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe se si trafikantët gjejnë klientë nëpërmjet Tik Tok-ut.

Sipas prestigjozes angleze, shqiptarët vijojnë të pa shqetësuar që të reklamojnë “biznesin” e tyre në rrjetet sociale, e kryesisht në Tik Tok, duke treguar datat e nisjes dhe detaje të tjera.

Në artikullin e botuar së fundmi, janë shfaqur disa postime të shqiptarëve në rrjetet sociale, ku thuhet se kërkojnë deri në 18 mijë paund për kalimin e sigurt drejt Britanisë, jo me gomone, por me kamionë.

Një person i paidentifikuar, i cili punon për Daily Mail, i ka dërguar mesazh kësaj llogarie në Tik-Tok, duke i kërkuar një udhëtim për 2 persona. Çmimi i udhëtimit është 26 mijë paund. Ndërkohë një tjetër trafikant ofron udhëtime me avion me pasaporta të falsifikuara.

Pasi i publikojnë këto postime, ato fshihen brenda disa ditësh për të humbur gjurmët./albeu.com/