Jeton Lami shoqëroi Brilant Martinajn pak para masakrës ku mbeti i vrarë? Prokuroria kërkon të dhëna për lëvizjet e ish-efektivit

Detaje të reja dalin në dritë ditë pas dite për “sagën” Ervis Martinaj dhe njerëzit e përfshirë në të.

Teksa ish-efektivi Jeton Lami synon lirinë në gjykatën e Lartë, pasi mbahet nën arrest nën dyshimet për shpërdorim detyre, pasi shoqëronte në arrati “mbretin e lojërave”, i zhdukur pa gjurmë prej muajsh, të tjera detaje mësohen për të.

Prokuroria e Krujës e cila po heton për të hedhur dritë mbi atentatin e 17 korrikut te mbikalimi i Fushës-Krujës, ku mbetën viktima Brilant Martinaj, kushëri i parë me Ervis Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha, kërkon nga organi i akuzës në Kurbin të dhënat mbi lëvizjet e Lamit ditën e masakrës.

Kjo lëvizje vjen pas dyshimeve se Lami  ka shoqëruar edhe Brilant Martinaj e miqtë e tij nga një lokal në Fushë-Krujë deri në Kamëz dhe anasjelltas dhe sapo është ndarë me të, Brilant Martinaj dhe personat që ishin me të në makinë u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi.

Balkanweb shkruan se prokuroria e Kurbinit tha se është duke shkëmbyer informacion me prokurorinë e Krujës, por detaje të mëtejshme nuk dihen. Mësohet se prokurorët kanë kërkuar tabulatet telefonike të Lamit, që përmes tyre të konfirmojnë lëvizjet e tij, si dhe sigurojnë akses në bisedat apo mesazhet e fundit që ka shkëmbyer para dhe pas ngjarjes së rëndë.

Për masakrën e mblikalimit të Fushë-Krujës janë marrë dhjetëra dëshmi, ndër to edhe të kundërshtarëve të Ervis Martinajt, por nuk ka ende asnjë të dyshuar. Jeton Lami është prë vazhdimisht si njeriu që të paktën mund të hedhë dritë mbi zhdukjen e Ervis Martinajt, të cilin e shoqëroi 5 ditë para se familja të humbte kontaktet me të.

Lami mund të jetë njeriu kyç për të zbardhur edhe masakrën ku u vra Brilant Martinaj, por ish-agjenti i operacionales ka “kyçur” gojën para hetuesve./ albeu com