“Jemi në gadishmëri”, Serbia motivon ushtarët në kufirin me Kosovën për luftë

Teksa tensionet në Veri të Kosovës vijojnë të mbeten një vatër e nxehtë për një konflikt të munshëm mes dy vendeve, duket se Serbia po i kushton mjaft rëndësi fuqizimit të saj ushtarak.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviç, me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, ka vizituar sot pjesën e Ushtrisë serbe të angazhuar në kontrollin e Zonës së Sigurisë Tokësore dhe sigurinë e vijës kufitare me Kosovën.

“Gjenerali Mojsiloviç ka inspektuar nivelin e gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në zonën e bazave ushtarake ‘Tabalije’ dhe ‘Rudnica’ dhe aftësinë e tyre për të reaguar shpejt në rast nevoje dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të vendit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.

“Në dritën e ngjarjeve të fundit në ‘krahinën tonë jugore’ të shkaktuara nga lëvizjet e njëanshme të ‘institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë’, gjenerali Mojsiloviç shprehu kënaqësinë e tij për gatishmërinë e lartë luftarake të forcave të Forcave të Armatosura Serbe dhe faktin që ushtarët dhe oficerët e angazhuar janë të gatshëm, të motivuar dhe të trajnuar për të kryer çdo detyrë të caktuar nga atdheu i Serbisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, gjatë vizitës në bazat në Zonën e Sigurisë Tokësore, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shoqërohej nga gjeneralë që janë në pozita të larta në hierarkinë e ushtrisë serbe.