Je kukull e Soros, fshive fotot/ Rama u përgjigjet akuzave: Alex Sorosin e kam mik dhe jam shumë krenar, kam miqësi dhe me armiqtë e tij

Kryeministri i vendit Edi Rama, gjatë përgjigjeve me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, u është përgjigjur dhe aludimeve në lidhje me marrëdhënien e tij me multimiliarderit George Soros dhe djalin e tij, Alex Soros, pas rikthimit të Donald Trump në pushtet.

Rama deklaroi se të dy i ka patur dhe do t’i ketë miq, teksa u shpreh shumë krenar për këtë miqësi, teksa aludimet i konsideroi si përralla dhe histori propagandistike.

Më tej, ai shtoi se ka miqësi edhe me kundërshtarët e tyre, dhe nuk dihet nëse në këtë rast i referohej Richard Grenellit apo Viktor Orbanit, pasi përmendi fotot që ka në rrjet apo takimet.

Rama theksoi se historitë me amerikanë, duhet t’i lëmë t’i zgjidhin amerikanët me njëri-tjetrin.

Komentet Rama i bëri pas akuzave të Sali Berishës dhe strategut amerikan të fushatës së tij, Chris LaCivita, të cilët janë shprehur se kryeministri është kukulla e George Sorosit.

Armando Ramaj: O Rama, po si ta kishte publikuar Leksi foton për inat publikoje dhe ti foton me të dhe tregoje që je burrë.

Edi Rama: Unë Alex Sorosin e kam pasur mik, të atin e kam mik. I kam pasur dhe do t’i kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi që e kemi shumë të qartë bashkë. Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që as nuk kanë lidhje fare, mua nuk më impresionojnë. Dhe, siç kam miq Alexin, të atin, kam edhe miq të tjerë që nuk janë miq me ta, por nuk bëj spekulime dhe abuzime me miqtë. Mos u bëni qesharakë, lërini historitë mes amerikanësh, t’i zgjidhin amerikanët me njëri-tjetrin. Mos gënjeni veten se këtu ku jemi ne jemi kërthiza e botës, etj etj. Mos ma qaj mua hallin fare për miqtë e mi. Unë kam shumë miq dhe mes tyre janë kundërshtarë apo armiq dhe nuk po filloj të t’i numëroj, por merr shih të gjithë koleksionin e fotografive dhe takimeve të mia dhe do shohësh më shumë se sa një rast se kjo që po të them është më se e vërtetë, dhe në nivelet më të larta, unë kam besimin të jem. Kështu që këto historitë me kukulla dhe me mjeshtra mos i hani se nuk iu çojnë as gjëkundi.


Shtuar 18.02.2025 10:27