Pedagogët kanë dalë sërish sot në një protestë kombëtare për plotësimin e kërkesave të tyre drejtuar qeverisë, teksa shënohet dita e gjashtë e bojkotit. Pedagogët kanë deklaruar nëse nuk do të ketë rritje të pagave, ata do të vijojnë protestën.
Janë nëntë kërkesa që pedagogët i kanë drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet një peticioni.
Mësohet se në peticion kërkohet të arrihet niveli i pagave të Universiteteve publike të Kosovës, brenda dy viteve me rritje 30% në tetor 2022 dhe 20 % në Tetor 2023.
Ndër të tjera SPUSH thekson se është i bindur se çështjet e renditura janë vetëm një pjesë e problematikës me të cilën përballen Universitetet Publike shqiptare sot.
Sipas tyre, adresimi dhe zgjidhja e tyre nga autoritetet qeveritare e universitare përgjegjëse është e domosdoshme për përmirësimin e kushteve aktuale.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve shqiptare, Sandër Kovaçi ka lexuar letrën e këtij institucioni drejtuar ndaj krerëve të shtetit shqiptar dhe ambasadave të huaja.
“Përshëndetje, do iu lexoj një letër të hapur drejtuar organizmave drejtues të shtetit dhe ambasadave të vendeve mike që kanë kontribuar për arsimin e lartë. Letër e hapur ndaj presidentit, kryeministrit, kryeparlamentares, kryetarëve të grupeve parlamentare, ambasadës së BE dhe SHBA dhe atyre të akredituara që ndodhen në vendin tonë.
“Të nderuar prej më shumë se dy javësh trupa akademike e institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri kanë nisur një protestë në kërkesën e tyre sa i takon rritjes së pagave. Gjykojmë se mungesa e vëmendjes dhe mbështetjes financiare nga të gjitha qeveritë kanë ndikuar në largimin e studentëve dhe stafit akademik nga vendi ynë. Kjo është tashmë një çështje e interesit kombëtar. Trupa akademike i është drejtuar qeverisë me disa kërkesa që kanë për qëllim ndryshimin e kësaj panorame kaq të trishtueshme. Qeveria është përpjekur t’i konsiderojë ato si kërkesa me nxitje politike.
Kryeministrit të Shqipërisë i kërkojmë të ndalojë intimidimet ndaj drejtuesve të sindikatës dhe të trajtojë me seriozitet të lartë kërkesat e bëra prej pedagogëve.”, tha Kovaçi.