Jam vëllai i Plarent Ndrecës që punon në ministri, më jep 4 mln lekë për të punësuar djalin inspektor mjedisi

Një dosje hetimore që mban Nr.586 e rregjistruar në SPAK ka pasur si subjekt gjykimi shtetasin Dritan Lleshi alias Dritan Ndreca, i cili është djali i xhaxhit të zyrtarit të PS, Plarent Ndreca.

Dritan Ndreca me origjinë nga Puka por banues në fshatin Ngurëz të Vogël në Lushnjë, është marë i pandehur dhe rrezikon dënimin me 8 muaj burgim, pasi akuzohet nga SPAK, për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”.

Sipas hetimit ka rezultuar se Dritan Ndreca, i ka premtuar një banori të zonës i quajtur, Arjan Ndoni, se kundrejt 4 milion lekë të vjetra do i fuste në punë djalin e tij, Eljo Ndoni, si inspektor mjedisi në qytetin e Fierit.

I pandehuri Ndreca, i ka premtuar Arjan Ndonit se emërimin e të birit në punë, do e realizonte përmes vëllait të tij, Plarent Ndreca, i cili gjatë vitit 2020 punonte si Sektretar i Përgjithsëm pranë Ministrisë së Brendshme.

Në vazhdim të dëshmisë së Arjan Ndonit, ai ka treguar se i kishte besuar Dritan Lleshit alias Ndrecës, që do i punësonte të birin në administratën publike, pa aplikuar apo pa iu nënshtruar një konkursi.

Më tej Arjan Ndoni ka treguar se Dritan Lleshi ia ka dhënë të gjithë dokumentet e shkollës së të birit dhe e ka bërë ai aplikimin në Tiranë.

Por veç dokumentave, si fillim Ndreca, i ka kërkuar një shumë prej 2 milion lekë të vjetra në formë kapari,të cilën Arjan Ndoni ja ka dorëzuar.

Plani ishte që punësimi të bëhej në Qershor, por pasi kaloi ky muaj, Dritan Ndreca, i ka thënë për në shtator.

Arjan Ndoni e ka parë që ishte mashtrim, dhe ka filluar t’i kërkojë vlerën 2 milion lekë të vjetra të dhënë në formë kapari, por Dritan Ndreca i ka thënë se do e bënte punësimin në muajin Nëntor.

Edhe në muajin Nëntor, nuk është realizuar punësimi, ndaj Arjan Ndoni, i është drejtuar me një kallëzim penal policisë së Fierit, duke akuzuar Dritan Lleshin alias Ndreca për “Mashtrim” dhe “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”.

Çështja përfundoi në prokurorinë e Posaçme SPAK, ku pas hetimeve të kryera Dritan Lleshi u mor i pandehur dhe tashmë rrezikon një dënim prej 8 muaj burgim.


Shtuar 20.06.2025 14:44